Showbiz

Në prag të 10-vjetorit të vdekjes së Amy Winehouse, babai i saj i kujton arritjet e së bijës

Foto: AP/Associated Press

Babai i këngëtares së ndjerë Amy Winehouse, Mitch, është i vendosur t’i kujtojë gjërat e bukura nga jeta e vajzës së tij.

Ylli i shumëshpërblyer i muzikës vdiq nga helmimi me alkool më 23 korrik të vitit 2011, kur ishte vetëm 27-vjeçare. Por, Mitch Winehouse insiston se dëshiron që vajza e tij të kujtohet nga publiku i gjerë, për sukseset që i ka arritur në karrierën e saj të shkurtër muzikore, dhe jo për problemet të cilët e shoqëronin jashtë skenës.

Në një intervistë të realizuar pak para se familja dhe miqtë e këngëtares të mblidhen në Londër, për ta shënuar përvjetorin e 10-të të vdekjes së saj, Mitch deklaroi: “Në këtë ngjarje do të ketë padyshim shumë lot. Çdo vit që e kujtojmë atë është i vështirë, e në veçanti ky përvjetor i dhjetë i vdekjes së saj na sjell shumë kujtime. Është vështirë të mos mërzitesh e hidhërohesh në këtë datë, dhe në njëfarë mënyrë, ne kurrë nuk do të mund ta tejkalojmë dhimbjes, pa marrë parasysh sa vjet kalojnë. Por, pas takimit mes miqve dhe familjarëve të Amyt, ne do të shkojmë diku për të drekuar dhe në fokusin tonë do të jenë gjërat e mrekullueshme nga jeta e saj, si talenti i jashtëzakonshëm, zemërgjerësia dhe dashuria e madhe që e kishte për të gjithë ne. Ky është bërë misioni im kryesor, të sigurohem që edhe njerëzit e tjerë dhe fansat anembanë botës, ta kujtojnë Amyn për të gjitha gjërat e bukura që ia ka dhuruar botës dhe njerëzve përreth saj, dhe jo vetëm për problemet me varësinë”.

Tutje, Mitch Winehouse ka thënë se natyrisht që i kujton arritjet marramendëse të vajzës së tij në muzikë, por kujtimet e tija të preferuara janë më të vogla, dhe janë momente intime e personale të cilat ata i kanë kaluar së bashku.

Mitch vazhdon ta ndjejë mungesën e të bijës dhe thotë se është i vendosur që ta vazhdojë trashëgiminë e Amyt, përmes fondacionit bamirës të cilin e ka hapur në emër të saj dhe i cili ndihmon në edukimin e fëmijëve në shkolla, rreth rrezikut që e sjell abuzimi me substanca.