Bëhuni gati adhurues të muzikës K-Pop. Grupi “BLACKPINK” po vjen në ekranet tuaja me një film të ri.
Bendi i përbërë nga katër anëtare e bëri të ditur të hënën, se shumë shpejt e lansojnë projektin e ri filmik, “BLACKPINK The Movie”, i cili vjen në kohën e duhur për ta shënuar pesë vjetorin e debutimit të tyre në muzikë. Këtë përvjetorë, Jennie, Lisa, Jisoo dhe Rosé planifikojnë të festojnë edhe me një projekt tjetër special të titulluar, “4+1 Project”.
“BLACKPINK THE MOVIE vjen shumë shpejtë, në gusht të vitit 2021”, shkruhej në postimin paralajmërues të grupit në rrjetet sociale.
Në tetor të vitit të kaluar, platrofma Netflix e lansoi dokumentarin e bendit shumë të suksesshëm anembanë botës, “Light Up the Sky”, i cili fokusohej në prapaskenat e incizimit të këngëve nga katër anëtaret e grupit, intervistat ekskluzive dhe performancën e shkëlqyer në festivalin “Coachella” në vitin 2019.
Grupi nga Korea Jugore debutoi në skenën botërore të muzikës më 8 gusht të vitit 2016, me albumin “Square One” i cili i përshinte dy hitet e padiskutueshme të bendit “Whistle” dhe “Boombayah”.
Tani, “BLACKPINK” shquhet si një prej bendeve më të suksesshme të përbëra nga anëtare vajza, me këngë hite të cilat i dominuar toplistat kryesore të muzikës në botë.
Grupi njihet për hite të shumta të cilat i numërojnë mbi 1 miliard klikime në YouTube, si “Kill This Love”, “DDU-DU DDU-DU”, “Boombayah”, “How You Like That”, “Lovesick Girls”, “Ice Cream”, “As If It’s Your Last” dhe të tjerë.
Në pesë vjetët e karrierës së tyre muzikore, “BLACKPINK” ka bashkëpunuar edhe me yje të njohur të muzikës, si Lady Gaga në këngën “Sour Candy”, Dua Lipa në këngën “Kiss and Make Up”, Cardi B në këngën “Bet You Wanna” dhe Selena Gomez në hitin “Ice Cream”.