Showbiz

Scarlett Johansson do ta pranojë shpërblimin “American Cinematheque Award”

Foto: AP/Associated Press

Gjatë këtij viti, aktorja e njohur hollywoodiane, Scarlett Johansson, do të pranojë Çmimin e Kinematekës Amerikane.

Ylli i filmit “Black Widow” do të nderohet në një ceremoni e cila zë vend në hotelin “Beverly Hilton”, më 18 nëntor të këtij viti dhe është përzgjedhur për ta pranuar këtë shpërblim, falë projekteve të ndryshme të realizuara ndër vite dhe reputacionit si një artiste tejet e përkushtuar ndaj punës.

Kryetari i bordit të Kinematekës Amerikane, Rick Nicita tha: “Karriera e Scarlett Johanssonit mishëron thelbin e çmimit të Kinematekës Amerikane. Talenti i saj e ka bërë të shkëlqejë nga debutimi i saj në kinematografi si fëmijë, e deri tek shndërrimi në një prej megayjeve të filmave me buxhet të lartë. Ajo ka luajtur në filma të pavarur aventureskë ku ka bashkëpunuar me regjisorë të mrekullueshëm. Ka luajtur në projekte të shumta komerciale, ka pasur role protagoniste por edhe dytësore në filma me buxhet të lartë dhe të ulët, dhe ka shkëlqyer me secilën performancë. Sa herë që ajo zbukuron ekranin me praninë e saj të ndritshme, publiku e di se do ta shohë një artiste të përkushtuar në kulmin e fuqive të saj. Mezi presim ta shohim fazën tjetër të karrierës së mrekullueshme të Scarlett Johanssonit”.

Vitin e kaluar, organizata jofitimprurëse ia ndau këtë çmim special regjisorit, Spike Lee, përmes një eventi të organizuar në formatin virtual si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Ceremonia e përvitshme e ndarjes së shpërblimit “American Cinematheque Award”, shërben si një ngjarje për mbledhje fondesh për kompaninë, e cila zakonisht mbanë programe gjatë gjithë vitit në teatrin “Aero” të Santa Monicas dhe Teatrin Egjiptian në Hollywood.

Duke u nderuar me këtë shpërblim, aktorja e filmit “JoJo Rabbit” e cila karrierën e filloi kur ishte vetëm nëntë vjeçare, i ndjekë hapat e yjeve të shumtë të filmit të cilët e kanë pranuar këtë çmim në të kaluarën, të tillë si: Charlize Theron, Bradley Cooper, Matthew McConaughey, Robert Downey Jr., Bruce Willis dhe Nicole Kidman.