Showbiz

Paris Hilton do të transmetojë dasmën e saj në televizion

Foto: AP/Associated Press

Ylli i 40-vjeçar i showbizit, Paris Hilton, planifikon ta transmetojë dasmën e saj në televizion.

Hilton u fejua me Carter Reumin në fillim të këtij viti, dhe përgatitjet e martesës jo vetëm që do të transmetohen në kuadër të shout të ri, “Paris in Love”, por ajo po ashtu e ka konfirmuar se pjesë e këtij programi televiziv do të jetë edhe komplet dasma e çiftit.

“Sapo i kemi filluar xhirimet e shout tonë të ri, ‘Paris in Love’, në kanalin ‘Peacock’ dhe aktualisht jemi duke xhiruar në New York, ku po bëhemi gati për provat e fustanit të nusërisë dhe po e planifikojmë festën e beqarisë. Ka shumë gjëra që po ndodhin, prandaj jam shumë e lumtur t’i ndajë ato me fansat e mi anembanë botës”, ka deklaruar Hilton.

Kur u pyet nëse dasma do të ekranizohej në televizion, trashëgimtarja e famshme tha: “Po”.

Afaristja dhe muzikantja e njohur për këngë të tilla si “Stars are Blind” dhe “I Blame You”, tregoi se dasma e saj do të jetë magjike dhe shumë argëtuese, dhe qentë e saj të dashur do të përfshihen në ceremoninë martesore.

Tutje Hilton e cila së fundmi ka krijuar karrierë edhe si DJ, e përshkroi të fejuarin, Carter Reum, si princi i ëndrrave të saj dhe insiston që asnjëherë më parë nuk e ka takuar një burrë sikur ai.

“Do të më bësh të qaj duke bërë pyetje të tilla. Unë kurrë në jetën time nuk kam takuar një njeri sikur ai. Asnjëherë nuk kam qenë me dikë që më do dhe më mbështet aq shumë, më lartëson dhe nuk frikësohet nga fama dhe suksesi im. Ai është thjesht shoku im më i mirë dhe princi im simpatik”.

Ndërkohë nëna e saj, Kathy Hilton, është bërë protagonistja e preferuar e fansave në sezonin e fundit të shout televiziv, “The Real Housewives of Beverly Hills”, dhe Parisi e pranoi se i ka pëlqyer shumë ta shikojë prindin e saj që e gëzon një sens të mrekullueshëm të humorit, në këtë emision shumë të shikuar në Amerikë.