Showbiz

Will Smith së shpejti e publikon librin me kujtime “Will”

Foto: AP/Associated Press

Ylli i filmit dhe muzikës, Will Smith ka bërë të ditura detaje rreth librit të tij të ardhshëm me kujtime, i cili titullohet “Will”.

Muzikanti dhe aktori i njohur i Hollywoodit, do ta publikojë këtë libër në Britani të Madhe në 9 nëntor të këtij viti.

I shkruar së bashku me autorin e librit “The Subtle Art of Not Giving a F*ck”, Mark Manson, ky projekt e sjell aktorin Smith duke folur hapur për jetën e tij. Libri po konsiderohet si i guximshëm dhe frymëzues, që gjurmon dëshirën e aktorit për të mësuar, veti kjo e cila gërshetohet me suksesin, lumturinë e brendshme dhe lidhjet njerëzore.

Libri me kujtime i Will Smithit po ashtu vlerësohet si produkt i një udhëtimi të thellë të vetë-njohjes dhe vullnetit për të lënë gjurmë në industri.

“Është e lehtë për ta manovruar botën materiale pasi ta kesh pushtuar mendjen tënde. Unë e besojë këtë. Pasi të kesh mësuar terrenin e mendjes tënde, çdo përvojë, çdo emocion, çdo rrethanë, qoftë pozitive apo negative, thjesht të shtyn përpara drejt rritjes më të madhe dhe përvojave më të pasura në jetë. Ky është vullneti i vërtetë i një personi. Të ecësh përpara, pavarësisht çdo pengese apo sfide. Dhe është mirë të avancosh në jetë në një mënyrë që i tërheq edhe të tjerët me vete, dhe jo t’i lësh prapa”.

Së fundmi, Will Smith e ndau me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, një fotografi ku shihet duke e festuar Ditën e Baballarëve me tre fëmijët e tij, Jaden dhe Willow, të cilët i ka me bashkëshorten Jada Pinket Smith, dhe djalin e madh Trey, të cilin e ka nga martesa e parë me Sheree Zampinon.