Showbiz

Dua Lipa është artistja më e dëgjuar e vitit 2020 në Britani të Madhe

Descriptive Text

Këngët e yllit botëror të muzikës, Dua Lipa, janë dëgjuar më shumë se të cilitdo artist tjetër në radiot dhe televizionet britanike gjatë vitit 2020. Kjo falë suksesit të jashtëzakonshëm të albumit të saj të shumëshpërblyer, “Future Nostalgia”.

Duke e kryesuar këtë listë, Lipa e ka mundur edhe kampionin e kaluar, Ed Sheeran, i cili e ka gëzuar titullin e artistit më të dëgjuar në Britani të Madhe, nga viti 2017.

Dy prej këngëve të saj, “Physical” dhe “Don’t Start Now”, kanë hyrë në mesin e 10 këngëve më të popullarizuara në vend.

Por kënga më e dëgjuar dhe transmetuar e vitit 2020, mbetet “Blinding Lights” nga ylli kanadez i muzikës, The Weeknd.

Këto shifra u përpiluan nga kompania e licencimit të muzikës “PPL”, e cila monitoron këngët më të transmetuara në televizionet, radiostacionet dhe klubet e natës në Britani të Madhe.

Image

Ed Sheeran është artisti i dytë më i dëgjuar gjatë vitit 2020, i pasuar nga Ariana Grande dhe Sam Smith.

Albumi “Future Nostalgia” u lansua vetëm katër ditë pasi Britania e Madhe u karantinua, në mars të vitit të kaluar. Ky vendim ia kishte shkaktuar disa shqetësime dhe net pa gjumë këngëtares me prejardhje kosovare.

“Isha paksa në konflikt nëse lansimi i albumit ishte gjëja e duhur për ta bërë gjatë kësaj kohe, sepse shumë njerëz po vuanin si pasojë e pandemisë”, kishte deklaruar Lipa atëkohë.

Por, fatmirësisht këngët e albumit “Future Nostalgia” u shndërruan në kolonë zanore të karantinës, për një numër të madh të njerëzve anembanë botës. Kjo falë tingujve energjik të bazuar në muzikën disco, që shkonin shumë mirë me situatën dhe konsideroheshin një antidot i përkryer ndaj izolimit.

“Ishte një vendim i vështirë për disa gjëra thjesht duhet të ndodhin. Jam shumë mirënjohëse që muzika ime ka shërbyer si formë e arratisjes nga rutina e karantinës. Qëllimi im ishte ta krijoja një botë argëtuese të cilën njerëzit do të mund ta shijojnë kur janë në shtëpi, dhe ndihem me fat që e pata rastin ta bëjë pikërisht këtë gjë”, kishte deklaruar këngëtarja 25-vjeçare për kanalin “BBC”.

Suksesi komercial i albumit “Future Nostalgia” u reflektua me praninë e vazhdueshme të këngëtares në radio dhe televizione të ndryshme, dhe Lipa është bërë gruaja e parë që e kryeson listën e artisteve më të dëgjuara në Britani të Madhe, nga viti 2014 kur këtë titull e gëzonte pop ylli amerikan, Katy Perry.

“Faleminderit të gjithë atyre që e kanë dëgjuar dhe e kanë pëlqyer muzikën time gjatë vitit 2020. Jam jashtëzakonisht krenare që isha artistja më e dëgjuar në radiot dhe televizionet britanike. Dëshira ime më e madhe ishte që albumi ‘Future Nostalgia’ të sillte gëzim dhe hare gjatë kësaj kohe të vështirë nëpër të cilën kemi kaluar”, ka deklaruar Lipa.

“Future Nostalgia” u bë albumi më i shitur i vitit 2020 në Britani të Madhe, duke e fituar çmimin “Albumi i vitit” në ceremoninë “Brit Awards” dhe “Albumi më i mirë pop”, në edicionin e sivjetmë të ceremonisë “Grammy”.

Besohet se ylli i muzikës pop tashmë ka filluar të punojë rreth albumit të tretë muzikor.

“Ajo po mendonte rreth realizimit të albumit të radhës, teksa ishim ende duke e finalizuar albumin e dytë. Normalisht do të mendoja se ajo dëshiron të pauzojë pak ose ta shijojë për ca kohë suksesin e ‘Future Nostalgia’, por në fakt Dua menjëherë filloi të mendojë për krijimin e muzikës së re. Interesimi i saj, njohuria për muzikën, dëshira për të mësuar gjëra të reja dhe të qenit në kontroll të projekteve të saj, vetëm sa vazhdon e rritet. Ajo po merr kohë për të realizuar plotësisht albumin nga ana konceptuale, por besimi në vetvete dhe besimi se ajo mund të nxjerrë diçka krejt ndryshe dhe në një nivel tjetër, po shtohet çdo ditë e më shumë”, ka deklaruar Joe Kentish, presidenti i ri i komapnisë “Warner Records UK”.

Para pesë ditësh, Dua Lipa e publikoi edhe videoklipin e ri të këngës “Love Again” e cila u mirëprit nga fansat e këngëtares, dhe për pesë ditë arriti t’i marrë më shumë se 15 milionë klikime në platformën YouTube.