Showbiz

Lindsay Lohan u rikthehet filmave me një projekt të Netflixit

Foto: AP/Associated Press

Ylli i njohur i hollywoodit, Lindsay Lohan, do të rikthehet në ekran të madh.

Aktorja e cila vjetëve të fundit është angazhuar në numër të limituar të roleve, pritet të luaj në një komedi romantike të Krishtlindjeve e cila vjen e realizuar nga platforma Netflix.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i aktores për “Fox News”.

Sipas një mesazhi të postuar në Twitter nga Netflixi, përmes së cilit u konfirmua ky projekt, 34-vjeçarja Lohan do të portretizojë një trashëgimtare të llastuar hotelesh e porsa fejuar e cila vuan nga amnezia, pas një aksidenti të cilin e pëson gjatë skijimit. Kështu, vetëm disa ditë para Krishtlindjeve, ajo e gjen veten nën kujdesin e një burri të hijshëm dhe vajzës së tij.

Nuk janë bërë të ditura detaje shtesë rreth aktorëve të tjerë të përfshirë në këtë projekt, apo datës së lansimit të tij, por besohet se puna rreth realizimit të filmit do të fillojë në nëntor të këtij viti, prandaj kjo lë të nënkuptohet se ai nuk do të jetë i gatshëm për publikun deri në vitin 2022.

Regjinë e filmit do të bëjë Janeen Damian, e cila po ashtu e ka bashkë-shkruar skenarin me Michael Damianin, Jeff Bonnettin dhe Ron Oliverin.

Lindsay Lohan ka gëzuar famë botërore qysh në fëmijëri, duke luajtur në filmat “Parent Trap” dhe “Freaky Friday”. Komedia hit “Mean Girls” është projekti i cili e vulosi suksesin e Lohanit në fushën e filmit dhe e shndërroi atë në yll të hollywoodit.

Pas disa vjetëve problematik të shkaktuara nga presioni i famës dhe varësi nga drogat dhe alkooli, Lohan u tërhoq nga karriera prej aktoreje dhe në dekadën e fundit ka pranuar role të vogla vetëm në disa projekteve televizive, si “Eastbound & Down”, “2 Broke Girls” dhe “Devil May Care”.

Sa i përket projekteve filmike, aktorja në vitin 2013 luajti në filmin “The Canyons” dhe në vitin 2019 mori pjesë në projektin, “Among the Shadows”.

Sipas portalit “Variety”, Lohan e cila e ka sprovuar veten edhe në muzikë, nga filli i vitit 2010 ka jetuar në Evropë dhe Dubai me qëllim që të qëndrojë larg vëmendjes së mediave dhe publikut.