Yjet e njohura të hollywoodit, Anne Hathaway, Morgan Freeman dhe Helen Mirren, janë angazhuar të luajnë në serialin e ardhshëm “Solos”.
Dan Stevens, Constance Wu, Anthony Mackie, Uzo Aduba dhe Nicole Beharie, po ashtu janë angazhuar në projektin e ri të platformës “Amazon”, i realizuar nga David Weil.
Seriali shtatë episodesh pritet të fillojë së transmetuari nga 21 maji në platformën “Amazon Prime Video”, dhe konsiderohet një shou dramatik dhe provokues i cili e eksploron kuptimin më të thellë të marrëdhënieve njerëzore, nga pikëpamja e një individi.
“Solos” rrëfen histori të personazheve interesante, secili nga perspektiva dhe momente të ndryshme në kohë, të cilat tregojnë që edhe gjatë momenteve më izoluese në dukje dhe në rrethanat më të jashtëzakonshme, çdo person lidhet përmes përvojave njerëzore.
David Weil do ta shënojë debutimin e tij regjisorial me këtë serial, pasi së bashku me producentin Sam Taylor-Johnsonin do t’i drejtojnë dy episode të shout. Ndër regjisorët e tjerë që pritet ta japin kontributin e tyre në këtë projekt janë Zach Braff dhe Tiffany Johnson.