Showbiz

Emma Watson u ka bërë thirrje fansave të mos i besojë thashethemeve për të

Foto: AP/Associated Press

Aktorja e njohur britanike, Emma Watson, u ka bërë thirrje gjithë adhuruesve të saj që të mos i besojnë thashethemeve që i lexojnë për të.

Ylli 31-vjeçar i filmave “Harry Potter” u bë aktive në rrjetet sociale për herë të parë në nëntë muajt e fundit, me ç’rast insistoi që të gjitha spekulimet për jetën e saj, përfshirë këtu karrierën filmike dhe lidhjen romantike me të dashurin Leo Robinton, nuk janë të vërteta.

“Të dashur fansa, thashethemet rreth fejesës sime të mundshme apo karrierës si aktore, janë mënyrë dëshpëruese e mediave dhe portaleve për të marrë klikime dhe plotësisht të pavërteta. Kur të kem lajme të cilat dua t’i ndajë me ju, betohem se do ta bëjë vetë atë”, kishte shkruar Watson në postimin e saj.

Emma ndër të tjera tha se gjatë izolimit të vazhdueshëm si pasojë e pandemisë COVID-19, e ka kaluar kohën larg rrjeteve sociale dhe duke bërë shaka tregoi se pavarësisht gjithë kësaj kohe të lirë, nuk ka arritur të mësohet të gatuaj bukë shtëpie.

Leo Robinton u identifikua për herë të parë si i dashuri i yllit të filmit “Little Women”, në prill të vitit 2020 por çifti vazhdon ta mbajë lidhjen e tyre sa më private dhe larg vëmendjes së publikut.

Robinton madje i kishte fshirë të gjitha llogaritë e tij në rrjetet sociale, menjëherë pasi u bë publik lajmi se është në lidhje romantike me Watsonin, kjo pasi në media filluan të qarkullojnë disa fotografi ku ata shfaqen duke u puthur.

Ylli britanik i filmave, Emma Watson, e cila nga viti 2001 deri më 2011 e ka portretizuar magjistaren e talentuar Hermione Granger në filmat e bazuar në librat e autores J.K. Rowling, u lind në Paris në vitin 1990 por familja e saj ishte shpërngulur në Britani të Madhe kur ajo ishte e vogël.

Watson përveç si aktore, shquhet edhe si aktiviste për të drejtat e grave, dhe si ambasadore e vullnetit të mirë për organizatën U.N. me të cilët ka punuar në disa projekte. Ajo, po ashtu njihet si udhëheqëse e fushatës “HeForShe”, e cila i nxitë burrat të bëjnë thirrje për barazi gjinore.

Ndër vite, aktorja ka folur edhe për eksperiencat e saj me seksizmin në industrinë e filmit, duke thënë se ka përjetuar diskriminim gjinor që nga mosha 8-vjeçare si dhe është rritur në një ambient toksik, ku mediat e kishin seksualizuar atë shumë më shumë, ndryshe nga kolegët e saj në filmat “Harry Potter”.

{gallery}