Showbiz

Publikohen pamjet e para të filmit “Venom: Let There Be Carnage”

Foto: AP/Associated Press

Fansat kishin kohë që po e prisnin lansimin e vazhdimit të dytë të filmit “Venom”, dhe tani më në fund kanë mundësi ta shohin personazhin e tyre të preferuar të bazuar në libra komik.

Vazhdimi i radhës i filmit “Venom”, i cili zyrtarisht e mban titullin “Venom: Let There Be Carnage”, ishte planifikuar të fillojë së shfaquri nëpër kinema nga 2 tetori vitit 2020, por për shkak të pandemisë studioja filmike prapa këtij projekti me buxhet të lartë, “Sony Pictures”, ishte dashur ta shtyjë atë disa herë.

Në filmin e ardhshëm, Tom Hardy e përsërit rolin e Venomit krahas personazhit të keq Carnage, i cili në këtë vazhdim portretizohet nga aktori Woody Harrelson. Krahas tyre në film luajnë edhe aktorë tjerë yje, si Stephen Graham, Naomie Harris dhe Michelle Williams.

“Venom 2” vjen në regji të Andy Serkisit, i cili e ka marrë këtë detyrë nga regjisori, Ruben Fleischer. Në shkurt të vitit të kaluar ai bëri shaka duke thënë se filmi i tij do të jetë drithërues, duke mos ndarë detaje specifike rreth tij.

Filmi i parë “Venom” u lansua në vitin 2018, me një buxhet të realizimit prej 100 milionë dollarësh. Kurse nga shfaqja nëpër kinematë botërore, filmi pati arritur t’i arkëtojë rreth 856 milionë dollarë. Pritet që edhe vazhdimi i dytë ta gëzoj një sukses të ngjashëm në arkat filmike botërore.

“Venom: Let There Be Carnage” planifikohet të fillojë së shfaquri për publikun e gjerë, më 24 shtator të këtij viti.