Showbiz

Madonna zemërthyer nga vdekja e këngëtarit Nick Kamen

Mbretëresha e muzikës pop, Madonna, i ka kushtuar nderime të enjten modelit, aktorit dhe këngëtarit Nick Kamen, hiti më i madh i të cilit ishte shkruar nga ylli i popit.

Kamen, i cili ka rrokur vëmendjen me reklamën e xhinseve “Levi”, ka vdekur gjatë kësaj jave, në moshën 59-vjeçare.

“Jam zemërthyer që ike. Ke qenë gjithmonë i mirë, njeri i ëmbël dhe ke vuajtur shumë. Shpresoj që të jesh më i lumtur kudo që je tani Nick Kamen”, ka shkruar Madonna, në rrjetet sociale.

Dyshja ishte renditur në pozitën e pestë në listat muzikore me këngën “Each Time You Break My Heart”, në të cilën Madonna ishte zëri përcjellës.

Ivor Neville Kamen u bë i famshëm në reklamën e markës “Levi”, ku ishte shfaqur duke i zhveshur pantallonat dhe duke i futur në lavatriçe, teksa gratë përreth e vështronin.

Reklama kishte ndikuar që të shtoheshin shitjet e xhinseve të kompanisë dhe ia kishte dhuruar atij famën. Madje, e kishte marrë vëmendjen edhe të Madonnas, që atëbotë kishte thënë për transmetuesin BBC se Kameni ka “karizëm” dhe “zë të bukur”.

Ajo më pas e kishte kontaktuar Kamenin dhe i kishte kërkuar që ta incizonte “Each Time You Break My Heart” – një këngë kjo e stilit pop, që i kishte mbetur pa e përdorur nga albumi i saj i tretë “True Blue”.

Duke folur për emisionin “Breakfast” në BBC të enjten, disenjatori Wayne Hemingway ka thënë se reklama e paharrueshme ishte veprimi që i kishte ndryshuar rregullat e lojës në industrinë muzikore.

“Kjo ishte një reklamë që doli krejtësisht jashtë muzikës së zakonshme, që atëbotë ishte tërësisht e errët”, ka thënë ai. “Nuk kishim internet, nuk kishim media sociale, kështu që gjithçka ishte e panjohur dhe kjo solli lëvizje në industri”.

Hemmingway ka shtuar se Kamen ishte atëkohë “një nga burrat më tërheqës” në Londër. Sipas tij, ata e kishin zgjedhur personin e duhur dhe muzikën e duhur.

“Ata i thyen rregullat pasi ideja që gratë t’i vështrojnë burrat nuk ishte diçka e zakonshme për atë kohë – por tani shoqëria ka ndryshuar. Kështu që kjo reklamë i theu stereotipat dhe është provë për atë kohë”.

Edhe ish e dashura e Kamenit, Amanda de Cadenet, ka shprehur nderimet e saj, së bashku me “një prej fotografive më të ëmbla” që ia kishte bërë me vajzën e saj Atlanta.

“Çfarëdo fame që ke fituar, nuk e ke përqafuar kurrë”, ka shkuar ajo. “Ishte diçka pothuajse e turpshme për ty. Përvoja ime me ty dhe koha që e kemi kaluar së bashku ishin të mbushura me ditë duke bërë gjëra artistike, duke gatuar, duke udhëtuar dhe duke kënduar”.