Showbiz

Florence Pugh do të luajë në filmin e ri të Netflixit, “The Wonder”

Descriptive Text

Ylli i ri i kinematografisë, Florence Pugh është përzgjedhur të luajë në trilerin e ri psikologjik të platformës Netflix, “The Wonder”, i cili bazohet në librin me të njëjtin emër të autores Emma Donoghue.

Sipas “The Hollywood Reporter”, Pugh do ta portretizojë protagonisten Lib Wright, një infermiere angleze e cila në vitin 1859 udhëton drejt një fshati të vogël në Irlandë. Atje ajo bëhet dëshmitare e një rasti të çuditshëm, kur një vajzë 11-vjeçare arrin të jetojë me muaj të tërë pa ngrënë ushqim. Derisa vajza e quajtur Anna O’Donnell, fillon të rrëmbejë vëmendje nga mediat dhe turistët, ajo dhe Libi përfundojnë duke ia ndryshuar jetën njëra-tjetrës.

Adaptimi i librit nga Netflixi aktualisht është në fazat e para të realizimit, dhe ende nuk dihet kur do të fillojnë xhirimet e filmit apo kur do të mund të lansohet ai për publikun e gjerë.

Kjo nuk do të jetë hera e parë që një prej romaneve të autores Emma Donoghue po adaptohet në film. Në vitin 2015 libri i saj “Room” u shndërrua në një prej projekteve më të përfolura dhe të suksesshme filmike, duke ia fituar aktores Brie Larson një shpërblim “Oscar”, në kategorinë “Aktorja më e mirë”.

Ndërkaq filmi “The Wonder” është vetëm një prej projekteve të ardhshme të aktores, Florence Pugh, të cilat pritet të lansohen së shpejti.

Më 9 korrik fansat e librave komik “Marvel” do të kenë rastin ta shohin atë në rolin e Yelena Belovas, krahas aktores së famshme hollywoodiane Scarlett Johansson e cila edhe një herë e portretizon heroinën Natasha Romanoff në filmin “Black Widow”. Ajo gjithashtu do të luaj krahas këngëtarit të shndërruar në aktor, Harry Styles, në filmin e ri “Don’t Worry Darling”. Edhe ky projekt i takon zhanrit triler psikologjik dhe vjen me regji të aktores Olivia Wilde.