Showbiz

A mund ta ndryshojë Hollywoodin “Oscari” i sivjetmë

Agjencia e lajmeve BBC i sqaroi disa nga arsyet pse ceremonia e sivjetme do të mund të hynte në histori – po qe se votimi do të shkonte në atë drejtim

Ceremonia e ndarjes së çmimeve të Akademisë amerikane për film ka shënuar përparim të theksueshëm që prej debaklit të PR-it të tij më 2015, kur të gjitha nominimet për aktrim u kishin shkuar aktorëve të bardhë, për të cilën arsye menjëherë ishte iniciuar fushata me hashtag #OscarsSoWhite që mbërtheu gjithë botën.

Pakënaqësia e shprehur nëpër rrjetet socialet duket se ka nxitur organizatorët që të mendohen mirë, teksa lista e sivjetme e fituesve potencialë është dukshëm më e larmishme sesa ka qenë ndonjëherë më parë.

Por nominimet nuk janë e tëra; në fund të fundit, esenca e “Oscarit” është në sigurimin e çmimeve. Janë disa arsye pse ceremonia e sivjetme do të mund të hynte në histori – po qe se votimi do të shkonte në atë drejtim.

Regjisorja më e mirë

Nëse Chloe Zhao siguron më së shumti vota në kategorinë e regjisë më të mirë, atëherë do të bëhej regjisorja e parë jo e bardhë që e fiton këtë çmim në histori të ceremonisë.

Regjisorja e njohur amerikane me prejardhje nga Kina është nominuar në këtë kategori për filmin e saj “Nomadland”, i cili e trajton historinë e një gruaje që udhëton përgjatë Perëndimit amerikan pasi që e humb vendin e saj të punës pas krizës financiare të vitit 2008.

Përveç kësaj, Zhao do të bëhej po ashtu vetëm gruaja e dytë që ka fituar ndonjëherë trofeun e “Oscarit” për regjinë më të mirë, në të gjithë historinë nëntëdhjetëvjeçare të ngjarjes.

Katherine Bigelow ka qenë gruaja e parë që ka marrë këtë çmim, për dramën e saj rreth luftës në Irak “Hurtlocker”.

Më e mira... në shumëçka

Megjithëkëtë, regjia më e mirë nuk është kategoria e vetme, për të cilën Zhao do të mund të fitonte çmim.

Po qe se do të fitonte në që të gjitha katër kategoritë në garë, ajo do të bëhej personi i dytë, dhe e para grua që ndonjëherë ka dërguar në shtëpi plot katër trofe shpërblyes.

I pari dhe i vetmi që e ka realizuar një gjë të tillë ka qenë Walt Disney, kur kishte thyer rekord me katër çmime “Oscars” në vitin 1954 – për dokumentarin më të mirë (të metrazhit të gjatë), për dokumentarin më të mirë (të metrazhit të shkurtër), për filmin më të mirë të metrazhit të shkurtër (të vizatuar) dhe për filmin më të mirë të metrazhit të shkurtër.

Ngadhënjimi i Zhaos do të konsiderohej akoma më i madh, duke e pasur parasysh se triumfet e saja do të përfshinin kategoritë prestigjioze.

Filmi më i mirë

Zhao nuk është megjithëkëtë gruaja e vetme e nominuar për ndonjërën prej kategorive kryesore.

Image
Emerald Fennell, po qe se fiton në tri kategoritë e nominuara rreth filmit “Promising Young Woman”, atëherë do të bëhej gruaja e parë që i fiton tri çmime “Oscars” për punën prapa kamerave

Aktorja dhe shkrimtarja britanike, Emerald Fennell, është nominuar për filmin më të mirë dhe për skenarin më të mirë origjinal për filmin “Promising Young Woman” – komedi kjo e errët që flet për një studente tridhjetëvjeçare të mjekësisë, e cila thur hakmarrje.

Në rast se i fiton që të tri çmimet, Fennell do të bëhej gruaja e parë që i fiton tri çmime “Oscars” për punën prapa kamerave. Edhe një ekip tjetër që do të mund të hynte në historinë e ceremonisë është ai i producentëve Shaka King, Charles D. King dhe Ryan Coogler – të cilët qëndrojnë prapa filmit “Judas and the Black Messiah”.

Nëse fitues dalin ata, atëherë do të bëheshin ekipi i parë i producentëve me ngjyrë që kanë rrëmbyer çmimin kryesor në këtë kategori.

Aktorët më të mirë

Ky njëherësh është viti i parë në historinë e “Oscars” që një aktor mysliman është nominuar për rolin kryesor mashkullor.

Riz Ahmed ka siguruar nominimin për rolin e një bateristi të rrymës muzikore rok, i cili lufton kundër humbjes së të dëgjuarit në filmin “Sound of Metal”.

Image
Riz Ahmed është aktori i parë mysliman i nominuar për aktorin më të mirë rreth portretizimit të një bateristi të muzikore rok që e humb dëgjimin në filmin “Sound of Metal”

Mahershala Ali ishte bërë në të 2017-n aktori i parë mysliman që ka fituar çmimin e Akademisë për filmin “Moonlight”, në kategorinë e aktorit më të mirë dytësor. Këtë gjë e ka përsëritur dy vjet më vonë, për rolin e një pianisti koncertal të të gjashtëdhjetave, në filmin “Green Book”.

Sivjet Riz Ahmed po përmendet si favorit për çmim bashkë me një tjetër koleg të tijin britanik, i cili gjithashtu do të mund të vendoste një rekord personal po qe se fiton.

Sikurse shumica e fituesve të deritanishëm të çmimeve “Oscars” për aktorin më të mirë mashkull, sir Anthony Hopkins është i bardhë. Por duke qenë në moshën 83-vjeçare, do të bëhej fituesi më i shtyrë në moshë i çmimit për rolin në filmin “The Father”.

Tetë herë “baksuz”?

Ndërkohë një tjetër veterane e filmit shpreson se nuk do të vendosë rekord në “Oscarin” e sivjetmë.

Aktorja amerikane, Glenn Close, është nominuar për të tetën herë sivjet në kategorinë e aktrimit. Po që të shtatë herët e nominimit të mëhershëm ajo është kthyer në shtëpi pa trofe të “Oscarit”.

Image
Po qe se nuk fiton edhe sivjet, Glenn Closet do t’i binte që për tetë herë radhazi të kthehet duarbosh nga ceremonia “Oscars”

Sivjet ndodhet në një pozitë të palakmueshme, kur i duhet që të mos e thyejë rekordin e saj personal me më së shumti nominime pa fitore. Po qe se sërish kthehet në shtëpi duarbosh, atëherë do ta thyente edhe rekordin e burrave aktorë pa trofe, të cilin e kishte vendosur legjenda e aktrimit, Peter O’Toole.