Showbiz

Aktorët të lumtur me nominimet për “Oscar”

Foto: AP/Associated Press

Aktorja 55-vjeçare, Viola Davis, u nderua nga Akademia e Arteve dhe Shkencave me një nominim në kategorinë “Aktorja më e mirë”, për rolin e saj në filmin “Ma Rainey’s Black Bottom”. Pas këtij lajmi, aktorja e pranoi se ky triumf, që e bënë atë aktoren afrikano-amerikane më të nominuar në historinë e ceremonisë “Oscar”, është tejet emocional për të.

Davis e postoi një fotografi në Instagramin e saj të cilën e shoqëroi me mbishkrimin: “Absolutisht e emocionuar!! Urime gjithë ekipit të filmit. Nominime të merituara”.

Edhe aktori Riz Ahmed, i cili u bë burri i parë mysliman i nominuar në kategorinë “Aktori më i mirë”, për rolin e tij në filmin “Sound of Metal”, tha se ndihet i nderuar për këtë arritje.

Në llogarinë e tij në Instagram aktori shkroi: “Wow! Jam i nderuar që jam nominuar nga kolegët e mi krahas performancave tjera inspiruese në këtë kategori, dhe jam falënderues ndaj akademisë për mbështetjen e tyre dhe inkurajimin. Po ashtu jam i lumtur për regjisorin dhe skenaristin tonë vizionar, Darius Marder, dhe të mrekullueshmin Paul Raci, si dhe gjithë ekipin që ka punuar prapa këtij filmi. Këto nominime përfaqësojnë kohën, bujarinë dhe talentet e kaq shumë njerëzve të cilët kanë kontribuar në këtë projekt, dhe në veçanti dua t’i falënderojë mentorët e mi të cilët më kanë mësuar t’iu bie daulleve, më kanë këshilluar rreth rikuperimit nga varësia dhe të gjithë pjesëtarët e komunitetit të shurdhmemecëve. Filmi “Sound of Metal” flet për atë se si një krizë shëndetësore mund të të shkëpus nga jeta dhe më të dashurit tuaj, dhe ju detyron të rriteni në mënyrë të papritur. Në një vit sfidues për shumë njerëz, shpresoj që ky tregim të na inspirojë të krijojmë lidhje të reja dhe të thella me veten dhe të tjerët”.

Kurse aktori Gary Oldman i cili u nominua në kategorinë “Aktori më i mirë” për rolin e rij në filmin “Mank”, I cili po ashtu është filmi më i nominuar i këtij edicioni, tha se rikthimi i ceremonisë “Oscar” po ia ofron një ndjesi të normalitetit.

“Pas një viti stresues të dominuar nga pandemia, ekziston një lloj komoditeti dhe sigurie kur e din se në shumë mënyra ne karakterizohemi me ca tradita të rëndësishme. Në industrinë tonë nuk ka asgjë më tradicionale se ceremonia e ndarjes së shpërblimeve akademike, që uroj ta sinjalizojë një lloj shprese se të gjithë do t’ia dalim nga kjo krizë globale shëndetësore. Ceremonia “Oscar” na vërteton se normaliteti ekziston ende. Në rastin tim, kjo është hera e tretë që po nominohem për ‘Oscar’. Duke mos dashur të banalizoj gjendjen aktuale të botës, megjithëkëtë është ndjenjë krenarie dhe nderimi kur vlerësohesh përkrah këtyre artistëve të tjerë të jashtëzakonshëm dhe të mrekullueshëm”, ka deklaruar Oldman.

Edicioni i 93-të i ngjarjes më të rëndësishme kinematografike në botë, do të mbahet më 26 prill 2021 dhe do të transmetohet live në kanalin “ABC”, dhe në më shumë se 225 shtete të botës.