Showbiz

Data e lansimit të filmit “Black Widow” mbetet e pandryshuar

Shefi ekzekutiv i kompanisë “Disney”, Bob Chapek, vazhdon të insistojë se data e lansimit të filmit të shumëpritur të Marvel-it, “Black Widow”, do të jetë 7 maji i këtij viti dhe sipas tij, ky projekt i realizuar nga regjisorja Cate Shortland do të lansohet edhe nëpër kinema.

Ka pasur spekulime se data e lansimit të filmit do të shtyhet sërish, pasi një pjesë e madhe e botës vazhdon të qëndrojë në karantinë, që nënkupton se shumë kinema janë ende të mbyllura, dhe “Disney” mund ta ketë planifikuar ndonjë metodë të lansimi të këtij projekti në platformën Disney+ në të njëjtën kohë me shfaqjen nëpër kinema.

Cate Shortland, gjatë një interviste të fundit kishte treguar se në filmin e ardhshëm, ylli hollywoodian Scarlett Johansson do t’ia dorëzojë stafetën e kryepersonazhit aktores së re, Florence Pugh. Sipas Shortlandit, ekipi prapa filmit është mahnitur me performancën e aktores britanike, Pugh, e cila e ka luajtur rolin e Yelena Belovas që është si motër e Natasha Romanoffit, pasi ato janë rritur dhe trajnuar bashkë.

Regjisorja ka lënë të nënkuptohet se aktoren 24-vjeçare po e pret një e ardhme e madhe në universin e personazheve të bazuara në librat komikë “Marvel”.

“Black Widow” i cili bazohet në universin “Marvel” fokusohet në historinë e Natasha Romanoffit, ndryshe e njohur si Black Widow, dhe zë vend pas ngjarjes së filmit “Captain America: Civil War”. Ky projekt fillimisht ishte planifikuar të lansohej nëpër kinema më 1 maj të vitit 2020.

Së fundmi, studioja filmike “Universal” e ka shtyrë lansimin e filmit me buxhet të lartë “Fast and Furious 9”, nga 28 maji për 25 qershor, kjo pasi po e presin rihapjen e kinemave jashtë shtetit. Ndërkaq me rënien e rasteve më COVID-19, në New York City tashmë janë rihapur kinematë dhe në Los Angeles ato pritet të hapen së shpejti.