Anëtarët e familjes mbretërore kanë zhvilluar takime kritike për të diskutuar pas intervistës bombastike të çiftit, Harry dhe Maghan, me prezantuesen ikonike Oprah Winfrey.
Gazetarja e BBC-së për çështjet e familjes mbretërore, Daniela Relph, tha se nuk beson që Pallati Mbretëror do të deklarohet menjëherë pas intervistës së Princit Harry dhe bashkëshortes së tij Meghan, prandaj do t’i shqyrtojnë mundësitë e tyre mirë, para se të vendosin të reagojnë ndaj deklaratave të çiftit.
Duka dhe Dukesha e Sussexit në intervistën e shumëpritur me Oprah Winfreyn, diskutuan për tema të ndryshme, si racizmi, shëndeti mendor, presioni medial dhe mospërkrahja e familjes mbretërore ndaj familjes së tyre. Madje, në një pikë të intervistës, Maghan e cila është anëtarja e parë e racës së përzier në familjen mbretërore, shokoi me deklaratën se Harry ishte pyetur nga një anëtarë i familjes rreth faktit se sa e errët mund të jetë lëkura e fëmijës së tyre, Archie.
Deklaratat e çiftit i cili para një viti hoqi dorë nga obligimet zyrtare të familjes mbretërore, dhe u zhvendos për të jetuar nga Britania e Madhe në Amerikë, hasën në reagime të ndryshme nga publiku i gjerë.
Disa i lavdëruan ata për guximin për ta treguar të vërtetën e tyre dhe për të zbuluar sekrete të familjes mbretërore, për të cilat është përfolur me vite por asgjë në nivelin zyrtarë, e disa të tjerë i akuzuan ata për shpifje për qëllime komerciale dhe përfituese.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.