Ylli i hitit “Ignition”, aktualisht gjendet në një burg në Illinois teksa po pret të fillojnë seancat gjyqësore në Çikago dhe New York, me ç’rast ai akuzohet për abuzim seksual të disa vajzave të mitura, prodhim të pornografisë me fëmijë dhe shkatërrim të provave.
Të dielën u bë i ditur lajmi se këngëtari i famshëm amerikan, është bërë një prej 63 të burgosurve i cili i ka pranuar të dyja vaksinat kundër COVID-19.
Sipas ueb faqes për të famshëm ,“TMZ”, 47-vjeçari R. Kelly e ka marrë dozën e parë të vaksinës në muajin janar, ndërsa tani e ka pranuar edhe dozën e dytë të saj.
Ylli i hitit “I Believe I Can Fly” ka bërë disa herë kërkesë për lirim nga burgu, duke kërkuar të vazhdojë ta pres gjykimin në lirim me kusht, me arsyetimin se ka frikë nga shpërthimi i koronavirusit në burgun ku ai po qëndron, në mesin e shumë arsyeve tjera. Por secilën herë, kërkesa e tij është refuzuar.
Kelly pritet të kthehet në gjykatë për t’u përballur me akuzat ndaj tij, në shtator të këtij viti, kjo pasi data e seancës së tij gjyqësore ishte shtyrë disa herë si pasojë e krizës së vazhdueshme shëndetësore.
Këngëtari i muzikës R&B ballafaqohet me padi në disa shtetet të Amerikës, përfshirë këtu Çikagon dhe New Yorkun, ku akuzohet për krime të rënda si trafikimi seksual, shantazhi dhe mashtrimi, si dhe pornografia me fëmijë.
R. Kelly vazhdon të deklarohet i pafajshëm ndaj të gjitha akuzave ndaj tij.