Rep artistja 26-vjeçare, Megan Thee Stallion, është në lidhje dashurie me reperin, Pardison Fontaine.
Ylli i hitit “WAP” e konfirmoi lajmin përmes Instagramit, duke i informuar fansat e saj se është në lidhje romantike me reperin 31-vjeçar, të cilin e përshkroi si dashnor të përkryer.
Spekulimet rreth lidhjes mes çiftit kishin nisur në fillim të këtij muaji, kur Pardison Fontaine ndau detaje rreth dhuratave për Ditën e të Dashuruarve të cilat ia kishte dhuruar reperes së famshme.
Kjo romancë u prit me reagime të ndryshme nga adhuruesit e Meganit. Disa e kanë aprovuar atë duke i dëshiruar çiftit më të mirat, kurse disa të tjerë i kanë shprehur brengat e tyre rreth të dashurit të saj të ri. Por, reperja i ka dalë në mbrojtje Pardisonit duke thënë se ai është shumë i dashur me të, dhe njerëzit nuk duhet të spekulojnë rreth tij pa e njohur fare.
Aktualisht, Megan Thee Stallion është një prej rep artisteve më të suksesshme në tregun muzikor amerikan.
Në vitin 2020 ajo e lansoi albumin debutues të incizuar në studio me titull, “Good News”, ku përfshihen bashkëpunime me emra të njohur të muzikës rep, si DaBaby, City Girls, Lil Durk, SZA, Popcaan, Mustard, Big Sean, 2 Chainz, Beyoncé dhe Young Thug.
Megan po ashtu i lansoi disa këngë me videoklipe të cilat u pritën mirë nga fansat dhe morën klikime të shumta, si “Girls in the Hood”, “Don’t Stop”, “Body”, “Cry Baby” dhe të tjerë.