Harry dhe Maghan do të intervistohen ekskluzivisht nga Oprah Winfrey
Foto: AP/Associated Press
Princi Harry dhe Dukesha Meghan, do ta realizojnë një intervistë speciale 90-minutëshe me ikonën e televizionit, Oprah Winfrey.
Duka dhe Dukesha e Sussexit të cilët të dielën më 14 shkurt e bënë të ditur lajmin se janë në pritje të fëmijës së dytë së bashku, do të bashkëbisedojnë me yllin televiziv në një emision ekskluziv i cili do të transmetohet më 7 mars në CBS.
Përmes një prononcimi për media, televizioni CBS e konfirmoi lajmin duke shkruar: “Oprah Winfrey do të bashkëbisedojë me Meghan Markelin, Dukeshën e Sussexit, në një intervistë të gjerë ekskluzive ku do të diskutohet për gjithçka, nga hyrja e saj në familjen mbretërore, martesa me Princin Harry, eksperienca si nënë e re, angazhimet e saj në fushën e bamirësisë, e deri tek menaxhimi i jetës nën presionin e madh publik. Më vonë, ato do të shoqërohen nga Princi Harry, me të cilin do të flasin për shpërnguljen e tyre nga Britania e Madhe në Shtetet e Bashkuara, dhe planet për të ardhmen dhe ëndrrat për zgjerimin e familjes”.
Lajmi për intervistën ekskluzive të çiftit më të përfolur mbretëror, me prezantuesen e njohur amerikane, Oprah Winfrey, e cila ishte e ftuar edhe në dasmën e tyre në maj të vitit 2018, vjen vetëm dy ditë pasi Meghan dhe Harry e bënë të ditur lajmin se janë në pritje të fëmijës së dytë. Ata tashmë e kanë një djalë së bashku, Archie, i cili më 6 maj të këtij viti e feston ditëlindjen e dytë.
Princi Harry dhe ish-aktorja amerikane, Meghan Markle, e shokuan botën vitin e kaluar me të hequr dorë nga obligimet zyrtare të familjes mbretërore, dhe zhvendosjen për të jetuar dhe punuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo pasi Markle ishte sulmuar ashpër nga mediat në Britani të Madhe, deri në atë pikë sa Princi Harry u detyrua të deklarojë publikisht se nuk dëshiron që historia e nënës së tij të ndjerë, të përsëritet me gruan e tij.