Showbiz

Të enjten lansohet dueti mes artistëve Demi Lovato dhe Sam Fischer

Foto: AP/Associated Press

Këngëtarja 28-vjeçare e shquar për zërin e saj të fuqishëm, Demi Lovato, dhe kantautori i njohur 29-vjeçar, Sam Fisher, janë bërë bashkë për realizimin e një dueti me titull “What Other People Say”, i cili lansohet për publikun e gjerë të enjten më 4 shkurt.

Kënga është shkruar nga Fischer, para se videoprojekti i tij muzikor, “The City”, të shndërrohej në hit global.

Përmes një prononcimi për media bëhet e ditur se kënga me një tekst mjaft prekës, flet për ndjenjën e vetmisë dhe mos dashjen për t’i zhgënjyer njerëzit.

“Kjo këngë është reflektim mbi atë se si është ta humbasësh veten, në përpjekje për t’i kënaqur të tjerët dhe shoqërinë. Kjo është arsyeja pse doja ta realizoja këtë këngë me Samin. Pra, në përgjithësi kënga flet për bashkimin e dy personave për ta gjetur zgjidhjen e problemeve të tyre”, ka deklaruar Lovato.

“Kënga ‘What Other People Say’ është një rrëfim, kur e kupton sa shumë mund të largohesh nga vetvetja në përpjekje për të qenë i pëlqyer në shoqëri. Ka të bëjë me presionin që shoqëria e vë mbi ne, dhe faktin se si mund të ndryshojë si person, kapja pas gjërave të gabuara”, citohet të ketë thënë Fischer.

Dueti i kësaj dyshe të muzikës vjen pak kohë pasi, Sam Fischer, u emërua “Artisti premtues për vitin 2021” nga platforma YouTube.

Në të kaluarën me këtë titull ishin kurorëzuar artistët, Mabel, Aitch, Freya Ridings, Mahalia, Beabadoobee dhe Celeste.

Lovato dhe Fischer, lajmin për lansimin e videoprojektit “What Other People Say”, e kanë konfirmuar edhe përmes postimeve në rrjetet sociale. Ylli i hitit “Sober” në Instagramin e saj e postoi një fotografi ku shihet përkrah Samit, që duket të jetë shkëputur nga xhirimet e videoklipit të këngës, të cilën e ka shoqëruar me mbishkrimin: “What Other People Say” në bashkëpunim me Sam Fisher, lansohet të enjten ?? Teksti i kësaj kënge është shumë e veçantë për zemrën time… Mezi pres ta ndajë atë me të gjithë ju”.