Ylli i filmit “Juno”, Elliot Page, i cili së fundmi u deklarua publikisht si transgjinor, ka bërë kërkesë për shkurorëzim nga bashkëshortja Emma Portnmer, në gjykatën e lartë në Manhattan.
Page, i cili së fundmi luajti në serinë e Netflixit, “The Umbrella Academy”, u martua me koreografen dhe valltaren profesionale, Portner, në vitin 2018, pasi e kishte njoftuar atë përmes Instagramit.
Kjo ndarje vjen vetëm dy muaj pasi Emma e kishte përgëzuar Elliotin, për vendimin e tij për t’u deklaruar transgjinorë para botës.
Çifti e ka konfirmuar lajmin e shkurorëzimit përmes postimit të një deklarate të përbashkët në rrjetet sociale.
“Pas shumë mendimesh dhe shqyrtimesh të kujdesshme, ne kemi marrë vendimin e vështirë për t’u shkurorëzuar, edhe pse jemi ndarë qysh në verën e kaluar. Megjithëkëtë, ne vazhdojmë ta kemi respektin maksimal për njëri-tjetrin dhe mbetemi miq të ngushtë”, shkruhet në mesazhin e tyre.
Ylli i serisë “Umbrella Academy”, Elliot, i cili dikur njihej me emrin Ellen Page, në dhjetor të vitit të kaluar e kishte postuar një mesazh në Twitter, përmes së cilit u deklarua publikisht si transgjinor.
Atëkohë ai kishte thënë se pavarësisht lumturisë që i ka sjellë ky vendim, megjithatë i frikësohet urrejtjes, shakave dhe dhunës që mund ta pranojë nga njerëzit.
“Përshëndetje miq, dua ta ndajë me ju lajmin se unë jam transgjinor, tash e tutje mund të më drejtoheni me përemrat ai/ata, dhe emri im i ri është Elliot. Ndihem me fat që kam rastin ta shkruaj këtë mesazh për të gjithë ju, dhe më vjen mirë që kam arritur në këtë fazë të jetës sime. Gjithashtu u kërkojë të tregoheni të duruar me mua. Gëzimi im është i vërtetë, por njëkohësisht mjaft delikat. E vërteta është se, pavarësisht faktit që po ndihem jashtëzakonisht i lumtur dhe e di sa i privilegjuar jam, megjithatë po ndihem edhe shumë i frikësuar. I frikësohem urrejtjes, shakave të pavend dhe dhunës të disa njerëzve”, kishte shkruar Page në prononcimin e tij.
Tutje në postimin e gjatë, aktori pati premtuar se do jap maksimumin që ta bëjë botën sa më të mirë, për të gjithë personat transgjinorë të cilët çdo ditë përballen me ngacmime, abuzime dhe dhunë të ushtruar ndaj tyre, vetëm për faktin se shoqëria i konsideron ndryshe.
Elliot Page u bë i famshëm në vitin 2007 me ta portretizuar tinejxheren e cila mbetet shtatzënë, Juno MacGuff, në filmin “Juno”. Nga atëherë karriera e saj filmike ka lulëzuar me projekte të tilla si: “Inception”, “X-Man”, “Flatliners”, “Whip It” dhe të tjerë.