Janë vikendet ato që artistët i shfrytëzojnë për të sjellë ose për të paralajmëruar prurjet e tyre të reja në muzikë.
Edhe vikendi paraprak është karakterizuar me të tilla paralajmërime, ku secila prej tyre ka zgjuar kureshtjen e adhuruesve të këtyre artistëve.
Pas bashkëpunimit të suksesshëm me Dafina Zeqirin, Yll Limani tashmë ka paralajmëruar edhe projektin e radhës.
“Kur t‘kujtohet” do të titullohet kënga e re që Ylli ka postuar në profilin e tij në Instagram, duke publikuar një pjesë nga kënga, këngëtari tregon që së shpejti do të vijë edhe kënga e plotë.

Fifi është tjetra artiste që gjatë vikendit ka paralajmëruar diçka të re, madje me mundësi zgjedhjeje për ndjekësit e saj.
Duke publikuar dy pjesë nga dy këngë të ndryshme, Fifi ka pyetur fansat e saj se cilën nga këto këngë ta nxjerrë si të plotë.
“Maniac” dhe “Gjithmonë kthehesh” janë dy projektet që këngëtarja ka përgatitur, porse cilën do ta publikojë të paren, mbetet të shihet në vazhdim, pasi që fansat tashmë janë mes dy këngëve.

Edhe Yllka Kuqi përgjatë vikendit ka paralajmëruar për ndjekësit e saj se është në përgatitje të diçkaje të re.
Duke publikuar disa imazhe në Instagram, këngëtarja gjakovare përmes përshkrimit “Së shpejti” ka lënë të kuptohet që ajo është në përgatitje të ndonjë projekti në muzikë.
Kujtojmë që Yllka vitin e kaluar është bërë nënë për herë të parë, e vajzës Luiza, duke pauzuar kështu edhe me muzikë, për tu rikthyer tashmë me këtë paralajmërim.

Bardhi është artisti i ri i cili tashmë ka marrë vëmendje goxha të madhe me projektet e tij të suksesshme, e që kësaj radhe vjen edhe ai me një paralajmërim për këngë të re.
Nëpërmjet llogarisë së tij në Instagram, rep-artisti ka paralajmëruar që projekti i ri do të titullohet “Aureol”, por duke mos dhënë detaje tjera,
Ndërkohë, projekti i fundit nga Bardhi që tashmë ka marrë mbi 7 milionë shikime, ishte bashkëpunimi me Fifin dhe Dj Gimi.

Gjatë vikendit që lamë pas bëri bujë edhe lajmi për bashkëpunimin mes Genta Ismajlit dhe Feros.
Dyshja nga Gjilani janë bashkuar për të sjellë bashkëpunimin e tyre të parë, një projekt ky që tashmë po diskutohet mjaft shumë nga fansat e dyshes.
Gjithçka çfarë dihet deri tani është se kënga do të jetë e zhanrit RnB dhe Hip-Hop teksa as Genta e as Fero nuk kanë dhënë detaje për këtë projekt.
Porse një gjë është e sigurte, që ky projekt tashmë ka ngjallur shumë kuriozitet dhe se do të diskutohet shumë, duke marrë parasysh që po bashkon dy artistë të rrymave dhe kohërave të ndryshme.