Showbiz

Shtyhet sërish ceremonia “SAG Awards”

Foto: AP/Associated Press

Ceremonia e shpërblimeve “SAG” të cilat i ndanë Shoqata e Aktorëve në Hollywood, dhe që i nderon më të mirët në fushën e filmit dhe televizionit, është shtyrë për gati një muaj. Kështu kanë bërë të ditur organizatorët e kësaj ngjarjeje kinematografike.

Ceremonia fillimisht ishte planifikuar të mbahet më 14 mars të këtij viti, ndërsa tani është shtyrë për datën 4 prill, kjo për shkak të konfliktit në orar me ceremoninë e njohur të shpërblimeve muzikore “Grammy”.

“Variety” e konfirmoi datën e re të këtij shou, që vjen pasi organizatorët e ceremonisë “SAG” kishin deklaruar se janë shumë të zhgënjyer me organizatorët e ceremonisë “Grammy”, për faktin se e kanë rezervuar datën e njëjtë me ta për ta mbajtur edicionin e 63-të të kësaj ngjarjeje të përvitshme.

“Jemi shumë të zhgënjyer me këtë konflikt datash, tani pasi organizatorët e ceremonisë ‘Grammy’ e lajmëruan 14 marsin si datën e mbajtjes së kësaj ngjarjeje shpërblyese. Ne e kishim caktuar këtë datë për ceremoninë tonë qysh në korrik të vitit të kaluar, duke pasur konsideratë që t’iu japim mundësi edhe ceremonive tjera të mbahen pa problem. Prandaj, kemi pritur të njëjtën konsideratë edhe nga ceremonitë tjera të industrisë së showbizit”.

Tradicionalisht ceremonia “SAG Awards” së vend në muajin janar, por ajo kishte pësuar ndryshim të datës së mbajtjes si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Edhe udhëheqësit e Akademisë së Regjistrimit të cilët e organizojnë ceremoninë “Grammy”, e cila i nderon më të mirët në industrinë e muzikës, janë ballafaquar me të njëjtin problem, që është shtyrja e datave të mbajtjes së kësaj ngjarjeje të rëndësishme.

Edicioni i 27-të i ceremonisë “SAG Awards” do të mbahet më 4 prill në formatin virtual, dhe do të transmetohet në “TNT” dhe “TBS”. Ndërsa edicioni i vitit 2021 i ceremonisë “Grammy”, do të mbahet në qendrën “Staples” në Los Angeles, më 14 mars.