Showbiz

Halle Berry e zhgënjyer që është aktorja e vetme afrikano-amerikane e shpërblyer me “Oscar”

Foto: AP/Associated Press

Aktorja e njohur hollywoodiane, Halle Berry, ka thënë se është fatkeqësi që një grua afrikano-amerikane nuk ka fituar çmim “Oscar” në kategorinë “Aktorja më e mirë”, prej triumfit të saj në vitin 2002.

Afërsisht 20 vjet pasi Berry u shpall fituese e shpërblimit akademik, për rolin e saj në filmin “Monster’s Ball”, ku luajti krahas yjeve Billy Bob Thornton dhe Heath Ledger, aktorja foli për faktin se që nga ajo kohë, Akademia e Arteve dhe Shkencave e cila e organizon ceremoninë prestigjioze kinematografike, nuk e ka nderuar një aktore të komunitetit afrikano-amerikan me këtë çmim.

“Ajo që ma thyen zemrën është se unë me të vërtetë mendoja që ajo natë nënkuptonte se shumë shpejtë, edhe gratë tjera më ngjyrë do të qëndronin përkrahë meje, si triumfuese të merituara të këtij shpërblimi. Sot, kanë kaluar 20 vjet nga ai moment, dhe ende asnjë aktore afrikano-amerikane nuk është nderuar në kategorinë ‘Aktorja më e mirë’. Prandaj, çdo vit që mbahet ceremonia ‘Oscar’ unë bëhem reflektuese dhe mendoj, ‘ndoshta këtë vit’. Por jo, kjo ende nuk ndodhi. Dhe është vërtetë zemërthyese për mua ta shoh që deri më sot, asnjë aktore nga komuniteti im nuk ka qëndruar në atë skenë si triumfuese”, citohet të ketë thënë Berry për tabloidin “The Mirror”.

Nga viti 2002, gjithsej 12 aktore afrikano-amerikane janë nominuar për çmimin “Aktorja më e mirë”, por asnjëra prej tyre nuk ka fituar.

Vitin e kaluar, Halle Berry kërkoi falje publike për faktin se e kishte konsideruar ta pranojë një rol në një film të ri, ku do ta portretizonte një person transgjinor.

Aktorja kishte shpjeguar se ishte në bisedime e sipër për ta pranuar rolin e një gruaje transgjinore, e cila bëhet burrë. Kjo ngase dëshironte ta përjetojë dhe kuptojë atë botë. Pra sipas Berryt, ajo ka dashur të zhytet thellë në atë projekt, siç ka bërë me filmin “Bruised” me të cilin edhe debuton si regjisore.

Ky film premierën botërore e kishte shënuar më 12 shtator të vitit 2020, në kuadër të Festivalit të filmit në Toronto, ndërsa do të fillojë së shfaquri për publikun e gjerë gjatë këtij viti, përmes platformës digjitale Netflix.