E veja e aktorit Chadwick Boseman, e dha një fjalim prekës në edicionin e sivjetmë të ceremonisë shpërblyese “Gotham Awards”, teksa e pranoi çmimin për kontribut në film, në emër të aktorit të ndjerë njëherësh yllit të filmit “Black Panther”.
Taylor Simone Ledward iu drejtua publikut me një fjalim emocional, gjatë ceremonisë e cila këtë vit u mbajt online. Në këtë ngjarje foli edhe aktori Andre Holland, i cili kishte luajtur krahas 43-vjeçarit Boseman në filmin “42”.
“Ai ishte personi më i sinqertë që e kam takuar në jetë, sepse nuk hezitonte ta thoshte të vërtetën. Ai vazhdimisht e kërkonte të vërtetën tek vetja por edhe te njerëzit përreth”, tha Ledward në fjalimin e ndarë nga gazetari i të përditshmes “New York Times”, Kyle Buchanan, në Twitter.
“E vërteta mund të jetë diçka e lehtë për t’u shmangur, por nëse njeriu nuk jeton në realitet, atëherë është e pamundur të jetosh në përputhje me qëllimin hyjnorë që ke për jetën tënde. Prandaj kjo u bë mënyra si Chadwick e jetonte jetën e tij çdo ditë. Në mënyrë të papërsosur dhe të vendosur. Duke vepruar kështu, ai pati mundësi të përkushtohet në çdo moment të jetës, duke qenë prezent për veten dhe të tjerët. Ai e kuptonte çfarë do të thotë të jesh askushi, i vetmi dhe i tëri. Chadwick e shfrytëzonte fuqinë e lirisë, për ta lejuar dashurinë e Zotit të shkëlqente mbi të. Me punën e tij si aktor, ai nuk e tregonte thjeshtë një histori apo lexonte rreshta në një faqe, por në fakt e ndërtonte rrugën drejt përmbushjes së vërtetë shpirtërore”, ka përfunduar tutje Ledward.
Ndërkaq fjalimin, e veja e yllit të ndjerë të hollywoodit e vazhdoi duke thënë: “Chad, faleminderit. Të dua. Jam shumë krenare me ty. Vazhdo të shkëlqesh nga lartë”.
Ndërkohë, së fundmi presidenti i studios “Marvel”, Kevin Feige, e konfirmoi lajmin se filmi i ardhshëm “Black Panther”, nuk do të përfshijë pamje të krijuara në formë digjitale të Chadwick Bosemanit.
Chadwick Boseman’s widow cries as she accepts a Gotham award in his honor. “Chad, thank you,” says Simone Boseman. “Keep shining your light on us.” pic.twitter.com/jQidx0Yp6c
— Kyle Buchanan (@kylebuchanan) January 12, 2021