Showbiz

Amy Adams protagoniste e filmit “The Woman in the Window”

Filmi i ri i aktores Amy Adams, “The Woman in the Window”, së shpejti do të lansohet në platformën Netflix.

Trileri i vonuar tashmë ishte planifikuar të lansohej nga “Disney”, por më pas është transferuar në platformën gjigante digjitale, dhe tashmë nuk do të ketë lansim nëpër kinema shkaku i pandemisë së koronavirusit.

Së fundmi revista “Entertainment Weekly” ka raportuar se ky projekt filmik i yllit hollywoodian, Amy Adams, do të jetë në dispozicionin e publikut nga muaji i ardhshëm.

Ajo e luan rolin e Dr. Anna Fox e cila është agorafobike dhe fshihet në shtëpinë e saj në New York, ku konsumon vazhdimisht alkool dhe e kalon kohën duke i vëzhguar fqinjët e saj.

Pasi e vëzhgon lidhjen e ngushtë midis familjes që zhvendoset në ndërtesën përballë saj, Annas i ngjallet dëshira për t’u ribashkuar me më të dashurit e saj.

Sidoqoftë, gjërat marrin kahe tjetër kur ajo bëhet dëshmitare e një akti të dhunshëm kriminal.

Në filmin “The Woman in the Window” gjithashtu luajnë aktorët: Gary Oldman, Julianne Moore, Anthony Mackie dhe Tracy Letts, e cila po ashtu e ka shkruar skenarin e këtij projekti.