Showbiz

Ceremonia “Grammy” shtyhet për muajin mars

Foto: AP/Associated Press

Ceremonia “Grammy” e vitit 2021 është shtyrë për shkak të brengave rreth koronavirusit. Kështu kanë bërë të ditur organizatorët e ngjarjes kryesore të muzikës në botë.

Ceremonia planifikohej të mbahej më 31 janar në Los Angeles, por tani ajo është shtyrë poër 14 mars të këtij viti. Arsyeja prapa këtij vendimi është rritja e numrit të të infektuarve me COVID-19, në shtetin e Kalifornisë.

“Asgjë nuk është më e rëndësishme se shëndeti dhe siguria e personave nga komuniteti ynë i muzikës, dhe qindra njerëzve tjerë të cilët punojnë pa u lodhur në krijimin e këtij shou”, thuhej në deklaratën për media të Akademisë Incizuese, që e organizon ceremoninë “Grammy”.

Ende nuk është bërë e ditur nëse komediani Trevor Noah, i cili planifikohej ta prezantojë shoun sivjet, do të merr pjesë në ceremoninë e shtyrë për muajin mars.

Kohë më parë organizatorët e ceremonisë shpërblyese kishin bërë të ditur se, edicioni i sivjetmë do të mbahej kryesisht në formatin virtual, edhe pse deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje shtesë rreth shout.

Shumë ceremoni të mëdha janë mbajtur online, prej shpërthimit të pandemisë në Amerikë, vitin e kaluar.

Ndër yjet e muzikës që dominojnë me nominime në edicionin e 63-të të ceremonisë “Grramy”, janë: Beyoncé, Taylor Swift dhe Dua Lipa. Kjo e fundit është nominuar në gjithsej gjashtë kategori kryesore të mbrëmjes, përfshirë këtu “Albumi më i mirë i vitit” dhe “Albumi më i mirë pop” për “Future Nostalgia”, “Kënga më e mirë”, “Incizimi më i mirë” dhe “Performanca më e mirë pop” për hitin e saj “Don’t Start Now” dhe “Bashkëpunimi më i mirë pop” për këngën “Un Dia” të realizuar me yjet e muzikës latine, J Balvin, Bad Bunny dhe Tainy.

Ceremonia “Grammy” do ta fillonte zyrtarisht sezonin e ndarjes së shpërblimeve në Hollywood. Ngjarja kinematografike “Globi I Artë” që tradicionalisht mbahej në muajin janar, tani do të jetë ceremonia e parë e këtij sezoni, sigurisht nëse mbahet sipas planit. Ky shou planifikohet të zërë vend më 28 shkurt, në Beverly Hills të Kalifornisë.

Shteti i Kalifornisë është duke përjetuar një rritje të numrit të rasteve me koronavirus e po ashtu edhe të vdekjeve si pasojë e COVID-19. Spitalet janë të ngarkuara, ndërsa autoritetet kanë marrë masa kufizuese. Madje punëtorët shëndetësorë në Los Angeles, janë urdhëruar që të mos i transportojnë në spital pacientët e prekur nga koronavirusi, të cilët i kanë gjasat e ulëta të mbijetesës.