Lewis Capaldi dhe The Weeknd janë artistët me shitjet më të suksesshme në Britani të Madhe, gjatë vitit 2020.
Sipas të dhënave të reja të publikuara nga Industria britanike e Fonografisë, mund të kuptohet se çfarë muzike kanë dëgjuar dhe blerë më së shumti britanikët gjatë vitit që lamë pas.
Në total, brenda 365 ditëve në Britani të Madhe llogariten 139 miliardë shkarkime muzikore online. 155 milionë albume janë shkarkuar apo blerë nga adhuruesit e muzikës, gjë kjo që nënkupton se pandemia e koronavirusit nuk ka pasur ndonjë ndikim të madh në tregun e muzikës. I vetmi sektor i muzikës që është prekur nga pandemia konsiderohet të jetë ai i koncerteve dhe i performancave live.
Për sa u përket shitjeve më të mira individuale, albumi debutues i kantautorit Lewis Capaldi - “Divinely Uninspired to a Hellish Extent” - i lansuar më 2019, vazhdon të mbajë rekordin në Britani të Madhe, pasi që edhe gjatë vitit 2020 është emëruar si albumi më i shitur.
Harry Styles me “Fine Line” renditet si incizimi i dytë më i shitur në Britani të Madhe, i përcjellë nga Dua Lipa me albumin e saj të dytë “Future Nostalgia”, i cili gjendet në vendin e tretë.
Billie Eilish dhe Stormzy e plotësojnë top-pesëshen me albumet e tyre “When We All Fall Asleep, Where Do we Go?” dhe “Heavy Is The Head”.
Ndërsa për sa i përket listës së këngëve më të shitura dhe më të shkarkuara në Britani të Madhe, sivjet kryeson këngëtari kanadez The Weeknd me hitin “Blinding Lights”.