Filmi i shumëpritur hollywoodian, “Wonder Woman 1984”, ka arritur t’i arkëtojë 36.1 milionë dollarë me të debutuar nëpër kinematë botërore, të premten më 25 dhjetor.
Kështu bëri të ditur studioja “Warner Bros.” të dielën mbrëma, teksa e konfirmoi lajmin për realizimin e një vazhdimi të tretë, në serinë e filmave për superheroinën e famshme.
Në total 16.7 milionë dollarë të kësaj shume, janë arkëtuar nga shitja e biletave nëpër kinematë e Amerikës Veriore dhe Kanadasë. Kjo është hapja më e mirë në kinematë vendore, prej shpërthimit të koronavirusit në muajin mars, megjithëse konsiderohet shumë tejet e vogël për një film me buxhet të lartë sikur ky.
Po ashtu në Shtetet e Bashkuara, miliona njerëz e kanë shikuar filmin “Wonder Woman 1984” nga shtëpia, përmes platformës digjitale HBO Max. Ende nuk dihen shifrat e sakta të të hollave të arkëtuara nga shfaqja e filmit online, por sipas një deklarate për media bëhet e ditur se, numri i vizitorëve në këtë platformë është trefishuar, në krahasim me ndonjë ditë të zakonshme të muajit.
Në lajme të tjera, studioja “Warner Bros.” ka bërë të ditur se do ta përshpejtojë zhvillimin e filmit të tretë “Wonder Woman’, i cili po ashtu vjen me regji dhe skenar të Patty Jenkinsit, dhe në rolin protagonist do të rikthehet aktorja e njohur izraelite, Gal Gadot.