Showbiz

Publikohen pamjet e para të komedisë së Murphyt - “Coming 2 America”

Legjenda e Hollywoodit, Eddie Murphy, shfaqet krahas aktorit Arsenio Hall në filmin e ardhshëm komik “Coming 2 America”, pamjet e para, të shkëputura të të cilit tanimë janë publikuar.

Dhe ato veçse janë mirëpritur nga publiku.

Në vazhdimin e dytë të filmit të vitit 1988 me të njëjtin titull, projekti i ri e rikthen aktorin Murphy në rolin e Akeemit, por kësaj radhe ai është i kurorëzuar si mbret i shtetit të imagjinuar afrikan, Zamunda.

Së bashku me mikun dhe krahun e tij të djathtë në mbretëri, Semmi, ai niset drejt një aventure të re, ngase detyrohet të udhëtojë sërish për në New York, pasi mëson se e ka një djalë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të quajtur Lavelle, për ekzistencën e të cilit nuk ka qenë në dijeni më parë.

Trileri i parë e shfaq humorin e errët që shikuesit mund ta presin në këtë film, çka e kishte karakterizuar edhe filmin e parë të lansuar 32 vjet më parë.

Regjinë e filmit “Coming 2 America” e ka bërë Craig Brewer. Regjisori citohet të ketë thënë se kjo ishte një ëndërr e tij e shndërruar në realitet, ngase ka qenë adhurues i madh i filmit të parë. Në këtë film zënë vend edhe aktorët Tracy Morgan dhe Wesley Snipes.

“Coming 2 America” është projekti i fundit i studios “Paramount”, i cili i është shitur ndonjë platforme digjitale në vend se të lansohet nëpër kinema.

Sipas portalit “Variety”, studioja filmike prapa këtij projekti ia ka shitur të drejtat autoriale të vazhdimit të dytë të komedisë hit nga viti 1988, platformës “Amazon Prime”, ku edhe do të fillojë së transmetuari më 5 mars 2021.