Showbiz

Lana Del Rey rikthehet në televizionet amerikane pas nëntë vjetësh

Descriptive Text

Këngëtarja e njohur Lana Del Rey e ka interpretuar këngën e saj të re, “Let Me Love You Like A Woman”, në episodin e fundit të emisionit të njohur televiziv, “The Tonight Show Starring Jimmy Fallon”. Kështu ajo e shënoi paraqitjen e parë në televizionet amerikane, në nëntë vjetët e fundit.

Performanca është xhiruar më herët në një bar të paidentifikuar, e shoqëruar në skenë nga instrumentistë dhe këngëtare përcjellëse. Dhe videoja i ngjason një filmi të vjetër melankolik.

Kënga “Let Me Love You Like A Woman” është publikuar në tetor të këtij viti, dhe është pjesë e albumit të ardhshëm të Lana Del Reyt me titull “Chemtrails Over The Country Club”, i cili pritet të lansohet në treg gjatë vitit 2021. Ky incizim i ri vjen pas albumit shumë të vlerësuar të këngëtares, “Normal Fucking Rockwell!”.

Prej lansimit të këngës “Let Me Love You Like A Woman”, Lana Del Rey i ka publikuar disa ‘cover’ të këngëve të ndryshme përfshirë këtu edhe këngën “Summertime”.

Të hollat e grumbulluara nga ky ‘cover’ do të dhurohen për Orkestrën e Filarmonisë të Los Angelesit dhe New Yorkut, për t’i ndihmuar gjatë kësaj pandemie të koronavirusit.

Ndërkaq në korrik të vitit 2020, Del Rey e publikoi librin me poezi të shoqëruar me një version audio të tij, “Violet Bent Backwards Over The Grass”.