Familja Kardashian/Jenner po bëhet gati të rikthehet në ekran, pavarësisht se në fillim të këtij viti e bëri të ditur lajmin se ky do të ishte sezoni i fundit i emisionit, “Keeping Up With The Kardashians”, i cili e bëri atë një prej familjeve më të famshme në botë.
Platforma abonuese “Hulu” në fund të javës së kaluar, e bëri publik lajmin se ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me motrat Kim, Khloe dhe Kourtney Kardashian, nënën e tyre Kris Jenner dhe dy motrat e vogla, Kylie dhe Kendall Jenner.
Sipas marrëveshjes së re, ato to të krijojnë materiale që do të transmetohen në platformën “Hulu” në Amerikë, e cila është pronë e kompanisë “Disney”, si dhe në disa shtete tjera të botës përmes platformës digjitale “Star”.
“Hulu” nuk ka zbuluar detaje shtesë rreth programit që do të krijohet nën marrëveshjen multi-milionë dollarësh, duke mos treguar nëse anëtaret e familjes Kardashian/Jenner të cilat i kanë miliona ndjekës në rrjetet sociale, Instagram dhe Twitter, do të shfaqen në ekranin televiziv.
Platforma në fjalë ka bërë të ditur vetëm se programi do të debutojë kah fundi i vitit 2021.
Lajmi për këtë bashkëpunim të ri vjen tre muaj pasi familja nga Los Angelesi, i informoi fansat se shou i tyre “Keeping Up With the Kardashians” i cili shfaqet në kanalin “E!”, do të përfundojë në vitin 2021 pas 14 vjetësh transmetim.
Gratë e familjes më të famshme në Amerikë nuk dhanë ndonjë arsye specifike rreth këtij vendimi, por zyrtarët e kanalit “E!” deklaruan se për momentin ato kanë vendosur ta jetojnë jetën pa prezencën e kamerave.
Emisioni “Keeping Up With the Kardashians”, i cili e sjell jetën e përditshme të anëtareve të familjes Kardashian/Jenner dhe miqve të tyre të afërt, i bëri ato emra të njohur anembanë globit duke iu ndihmuar të ndërtojnë karrierë të suksesshme në showbiz, modë dhe botën e afarizmit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.