Ylli i filmit “Black Panther”, Chadwick Boseman, vdiq këtë vit pas një beteje katër vjeçare me kancerin, por Hollywoodi nuk e ka harruar atë. Pasi studioja “Marvel” e pati nderuar aktorin me një video prekëse në muajin gusht, së fundmi platforma digjitale Disney+ e ka ridizajnuar logon e studios “Marvel” me pamje të Bosenamit në rolin e superheroit Black Panther, me qëllim që ta nderojë atë më 29 nëntor, ditën që do ta shënonte ditëlindjen e tij të 44-të.
Long live the King. #WakandaForever pic.twitter.com/uW1KisOkTq
— Marvel Entertainment (@Marvel) November 29, 2020
Ky ndryshim i kushtohet tërësisht Chadwick Bosemanit, me pamje jo vetëm të filmit “Black Panther”, por edhe nga paraqitet e tij në filmat “Captain America: Civil War”, “Avengers: Infinity War” dhe “Avengers: Endgame”, transmeton Koha.
Kryetari i kompanisë “Disney”, Bob Iger, e ka postuar një mesazh në Twitter për gjithë adhuruesit e filmit “Black Panther”, me ç’rast i ka sugjeruar ta shikojnë filmin në platformën digjitale Disney+, për ta parë një nderim special që i kanë bërë një personi i cili gjithmonë do të jetë shumë i dashur për publikun dhe do të jetojë thellë në zemrat tona.
“Marvel” e kishte bërë një veprim të ngjashëm edhe për krijuesin e librave komik, Stan Lee, duke e ndryshuar logon e studios filmike në filmin e vitit 2019, “Captain Marvel”.
Xhirimet e filmit të ardhshëm “Black Panther” janë planifikuar të fillojnë në korrik të vitit të ardhshëm, me rikthimin e yjeve Letitia Wright, Danai Gurira, Lupita Nyong'o, Winston Duke, Martin Freeman dhe Angela Bassett, në rolet e tyre. Regjisori i këtij vazhdim të ri ka deklaruar se nuk planifikon ta kthej aktorin Boseman në ekran, në mënyrë digjitale por në vend të kësaj pritet të angazhohet një aktor i ri për këtë rol.
Filmi “Black Panther 2” pritet të lansohet nëpër kinema më 6 maj të vitit 2022.
Disney+ po ashtu e ka në dispozicion të publikut dokumentarin, “Chadwick Boseman: A Tribute for a King”, i cili e nderon jetën, trashëgiminë, karrierën dhe ndikimin kulturorë që ylli i filmit “Black Panther” e ka pasur, si në ekran ashtu edhe jashtë tij.