Showbiz

Refuzohet kërkesa e Deppit për apel ndaj vendimit gjyqësor

Aktorit amerikan, Johnny Depp, i është refuzuar e drejta për të paraqitur ankesë kundër vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila konstatoi se ai e sulmoi ish-bashkëshorten e tij, Amber Heard.

Aktori i sagës “Pirates Of The Caribbean” ka paditur botuesin e revistës “The Sun” – “News Group Newspapers” - për shpifje, rreth një artikulli të vitit 2018, në të cilin Depp cilësohet si “abuzues i gruas”, transmeton KOHA.

Gjykatësi që hodhi poshtë pretendimin e Depp, kishte njoftuar se apel nuk kishte “gjasa të arsyeshme të suksesit”. Megjithëkëtë, ai i kishte ofruar atij një afat kohor deri më 7 dhjetor për të paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

Vendimi i gjyqtarit rreth apelit ishte marrë javën e kaluar, por është bërë i ditur gjatë së premtes. Gjykatësi urdhëroi aktorin të bënte një pagesë fillestare në NGN prej gati 630.000 dollarësh.

Akuzat kundër Deppit përfshinin periudhën midis 2013 dhe 2016, kur marrëdhënia e çiftit kishte marrë fund.

57-vjeçari Depp mohoi pretendimet dhe avokati i tij e quajti vendimin e gjykatësit si “pervers” teksa e njoftoi aktorin që synonte të paraqiste apel.