Showbiz

Shtyhet për vitin 2022 lansimi i trilerit me spiune - “The 355”

Filmi i ri me spiune gra “The 355”, në të cilin shfaqet aktorja e njohur hollywoodiane Jessica Chestain, ka pësuar sërish ndryshim në datën e lansimit.

Projekti kinematografik i regjisorit Simon Kinberg, me një ekip aktoresh gra që shfaqen në rolet e spiuneve profesionale, pritej të lansohej nëpër kinema më 15 janar të vitit 2021.

Studioja filmike “Universal Pictures” ka njoftuar të mërkurën se filmi i zhanrit triler nuk do të shfaqet nëpër kinema deri më 14 janar 2022, për shkak të ndikimit që pandemia e koronavirusit ka pasur në oraret e lansimeve të projekteve kinematografike.

Në rolet kryesore të filmit, pos Chestainit, paraqiten aktoret: Lupita Nyong’o, Diane Kruger, Fan Bingbing dhe Penelope Cruz.

Filmi shpalos historinë e një grupi spiunesh nga agjenci të ndryshme botërore, të cilët duhet të bashkëpunojnë për ta parandaluar krijimin e konflikteve midis shteteve dhe ndalimin e një incidenti që mund të sjellë valë tronditëse në botë.

Të pesë gratë e guximshme dhe të talentuara detyrohen që t’i hedhin anash rivalitetet dhe mosbesimin personal, në mënyrë që ta krijojnë grupin e parë sekret të përbërë nga agjente gra në Revolucionin amerikan.

Në film shfaqen gjithashtu aktorët Sebastian Stan dhe Edgar Ramírez. Regjisori Kinberg ka bashkëpunuar për skenarin e filmit me Theresa Rebeckin, ndërsa Chastain dhe Kelly Carmichael paraqiten në rolin e producenteve.