Showbiz

Përfundojnë xhirimet e filmit “Jurassic World: Dominion”

Kanë përfunduar xhirimet e filmit “Jurassic World: Dominion” në Britani të Madhe, kjo pasi pandemia e koronavirusit i shkaktoi disa sfida në finalizimin e vazhdimit të ri të filmi shumë të suksesshmë në arkat filmike.

Xhirimet e këtij projekti kishin filluar në Kanada në shkurt të 2020, duke vazhduar në mars në Britani të Madhe, pikërisht në kohën kur shpërtheu pandemia e koronavirusit, çka nënkuptoi se puna rreth realizimit të filmit do të pezullohej përkohësisht.

Eventualisht, ekipi realizues pati mundësi t’i rikthehet punës në muajin korrik, por këtu nuk mbaruan problemet dhe sfidat e shkaktuara nga pandemia.

Por, pavarësisht të gjitha vështirësive, tani është konfirmuar lajmi se xhirimet e filmit kanë përfunduar, dhe data e lansimit të tij nëpër kinema vazhdon të jetë 10 qershori i vitit 2022, transmeton Koha.

Përmes një postimi në Twitter, regjisori Colin Trevorrow tha: “I kemi përfunduar xhirimet e filmit ‘Jurassic World Dominion’. E falënderoi nga zemra ekipin e jashtëzakonshëm prapa këtij projekti. Së bashku e kemi krijuar një familje”.

“Jurassic World: Dominion” në rolet kryesore i kthehen aktorët yje, Chris Pratt, Bryce Dallas Howard dhe Daniella Pineda. Por, e veçanta e këtij projekti është se, me role të shkurtra do të rikthehen edhe disa prej aktorëve të filmave të parë “Jurassic Park”.

Yjet që pritet ta shënojnë rikthimin në këtë film janë: Laura Dern, e cila e portretizonte Ellie Sattlerin në filin e parë dhe atë “Jurassic Park III”, Sam Neil, i cili e përsërit rolin e Grantit dhe Jeff Goldblum, i cili në filmat e kaluar e ka luajtur rolin e Dr. Ian Malcolmit.

Ky vazhdim i ri vjen pas filmave, “Jurassic World” dhe “Jurassic World: Fallen Kingdom”, ndërsa ende nuk janë dhënë detaje rreth temës të cilën do ta trajtojë.