Reperi Kanye West e ka dhënë votën e tij të parë në zgjedhje presidenciale, dhe ka votuar për veten.
Muzikanti i lindur në Çikago e postoi një mesazh në Twitter ku shkruhej: “Zoti është i mirë. Sot po votoj për herë të parë në jetën time për President të Shteteve të Bashkuara, dhe vota ime shkon për personin të cilit i besoj plotësisht… unë”.
Megjithëse nuk pati performancën e dëshiruar në këto zgjedhje presidenciale, West në mëngjesin e së mërkurës e bëri të ditur lajmin se po tërhiqej nga gara, por la të nënkuptohet se do të kandidojë sërish për president të shtetit, në zgjedhjet e vitit 2024.
43-vjeçari West i cili në muajin gusht e filloi fushatën e tij elektorale për udhëheqës të shtetit, me deklarata të çrregullta të postuara në rrjetet sociale, është pjesë e votimit zyrtarë në një numër të vogël të shteteve të Amerikës, por sipas mediave në vend, ai nuk e ka pasur asnjë shansë për të fituar, transmeton Koha.
Para 3 javësh reperi e lansoi reklamën e parë elektorale të fushatës së tij për t’u zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes së cilës kishte vendosur të fokusohet në familje dhe religjion.
Në videon e postuar, muzikanti dhe disenjatori i njohur i modës, u kërkoi mbështetësve të tij që ta votojnë si kandidat të pavarur për president të SHBA-së.
“Duke u mbështetur në besim dhe religjion, ne do të bëhemi shteti dhe njerëzit që Zoti synon të jemi,” thotë West në videon e sapo lansuar, pjesë e së cilës janë disa familje duke u lutur dhe imazhe të shumta të natyrës.
Kjo video ishte përpjekja e parë e madhe e Westit, për t’u marrë seriozisht si kandidat për Shtëpinë e Bardhë. Derisa, në të kaluarën reperi konsiderohej përkrahësi më i madh ndër të famshëm i Donald Trumpit. Ai ka bërë shumë pak fushatë për këto zgjedhje, derisa muajve të fundit shqetësimet rreth shëndetit të tij mendor vetëm sa janë rritur.
Ylli i hitit “Heartless” i cili gjatë karrierës muzikore i ka fituar gjithsej 21 çmime “Grammy”, në vitin 2018 e kishte bërë publik lajmin se vuan nga çrregullimi bipolar.