“Rrobat e tija janë të fëlliqura, por duart e pastra. Dhe ti je gjëja më e bukur që më kanë parë sytë”...
Kënga “Lay Lady Lay” e Bob Dylanit qe bërë hit i menjëhershëm. Duke filluar nga “Duran Duran” deri te “Ministry”, grupe të panumërta muzikore e kanë kënduar njërën prej këngëve më të njohura të fundviteve ’60. Për dekada me radhë mendohej se kënga ishte shkruar për filmin e 1969-s, “Midnight Cowboy".
Por në transkripatat e një bisede të vitit 1971, të cilat do të shkojnë në ankand, thuhet se kjo këngë e Dylanit ishte shkruar për Barbra Streisandin, përcjell KOHA shkrimin e CNN.
Transkriptat janë nga një intervistë që ishte bërë gjatë disa ditësh mes Dylanit dhe shokut të tij Tony Glover. Ato supozohej se ishin për një artikull të “Esquire”-s që Gloveri ishte duke e shkruar, ndonëse rrëfimi kurrë nuk ishte publikuar. Në bisedën, e cila ndodhi më 24 të atij marsi, kuptohet qartë se Dylani e kishte shkruar këngën për të, jo medoemos rreth saj.
“Ju thatë se ‘Father of Night’ e kishit shkruar për një shfaqje, kurse ‘Lay Lady Lay’ për filmin ‘Midnight Cowboy’”, dëgjohet tek thotë Gloveri në atë intervistë. “Në fakt është shkruar për Barbra Streisandin”, përgjigjet Dylani.
Streisand nuk ka qenë në dijeni se ajo kishte qenë një lloj burimi për këngën.
“Më vjen shumë mirë që mësova se 'Lay Lady Lay’ më kushtohet mua”, ka thënë Streisand në një deklaratë të kësaj jave për “NBC News”. “Më kujtohet se kam marrë lule prej tij shoqëruar me një letër, ku shkruhej se do të donte që të bënim një këngë së bashku, por asokohe nuk ma merrte mendja. E di çfarë, Bob, mendoj se tani është koha!”.
Dhe këto nuk janë informatat e vetme që dalin prej bisedës me Gloverin. Duke nisur nga frika e Dylanit prej anit-semitizmit e deri tek aksidenti me motoçikletë, ku përpak sa vdiq, transkriptat ofrojnë një pasqyrë edhe mbi anën intime të këngëtarit.
Glover, gjithashtu muzikant, ka vdekur vitin e kaluar. Transkriptat e intervistës, si dhe të tjera gjërat personale të Gloverit, do të nxirren për shitje nga kompania e ankandeve “RR Auction”. Për këtë gjë, ofertimet njëjavore janë caktuar që të fillojnë më 12 nëntor.