Showbiz

Kanye West publikon reklamën e parë elektorale

Reperi Kanye West e ka lansuar reklamën e parë të fushatës së tij për t’u zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në zgjedhjet e 3 nëntorit. Megjithëse shanset për të fituara i ka minimale, West ka vendosur që përmes kampanjës së tij zyrtare të fokusohet në familje dhe religjion.

Reperi 43-vjeçar i cili e nisi fushatën elektorale në muajin korrik, me postimin e disa deklaratave të çrregullta në rrjetet sociale, është pjesë e votimit zyrtar në disa shtete të Amerikës, por nuk ka asnjë shans për t’i fituar këto zgjedhje, transmeton Koha.

Në videon e postuar të hënën, muzikanti dhe disenjatori i njohur i modës, u kërkoi mbështetësve të tij që ta votojnë si kandidat të pavarur për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Duke u mbështetur në besim dhe religjion, ne do të bëhemi shteti dhe njerëzit që Zoti synon të jemi”, thotë West në videon e sapolansuar, pjesë e së cilës janë disa familje duke u lutur dhe imazhe të shumta të natyrës.

Kjo video është përpjekja e parë e madhe e Westit, për t’u marrë seriozisht si kandidat për Shtëpinë e Bardhë. Derisa, në të kaluarën reperi konsiderohej përkrahësi më i madh ndër të famshëm, i presidentit aktual të Amerikës, Donald Trump. Ai ka bërë shumë pak fushatë për këto zgjedhje, derisa muajve të fundit shqetësimet rreth shëndetit të tij mendor vetëm sa janë rritur.

Ylli i hitit “Heartless” i cili gjatë karrierës muzikore i ka fituar gjithsej 21 çmime “Grammy”, në vitin 2018 e kishte bërë publik lajmin se vuan nga çrregullimi bipolar.