Puna rreth vazhdimit të ri në serinë e filmave “Fantastic Beasts”, që zë vend në botën fantastike të magjistarëve ishte pezulluar në vitin 2019, si pasojë e situatës së pasigurt dhe për shkak se ky projekt do të jetë shumë më i madh së vazhdimi i parë dhe i dytë, dhe kështu regjisori dhe producentët e këtij filmi nuk kanë dashur ta nxitojnë atë.
Kështu kishte bërë të ditur aktori Dan Fogler, i cili e portretizon Jacob Kowalskin në filmat që kthehen prapa në kohë, para historisë së trajtuar në filmat “Harry Potter”. Sipas Folgerit, synimi i tyre ishte që t’i rifillojnë xhirimet në vjeshtë të vitit 2020,transmeton Koha.
Rifillimi i punës pësoi shtyrje pak më të gjatë se që ishte parashikuar për shkak të Covid-19, dhe tani aktori Eddie Redmayne i cili në film e portretizon protagonistin, Newt Scamander, ka zbuluar se ekipi realizues i filmit është kthyer në sheshin e xhirimeve.
Redmayne shpjegoi se të gjithë pjesëtarët e ekipit po testohen rregullisht për koronavirus, derisa e pranoi se ishte brengosur që xhirimi në një atmosferë ku duhej vënë maska në fytyrë gjatë gjithë kohës, do të ndikonte në anën kreative të aktorëve. Por, fatmirësisht kishte ndodhur e kundërta dhe ylli i shpërblyer me Oscar, tha se të gjithë po i përkushtohen punës në maksimum.
“Është interesante sepse tashmë ka dy javë që i kemi rifilluar xhirimet e filmit, dhe i gjithë procesi i punës është më ndryshe. Jemi kthyer në një normalitet të ri, duke u testuar vazhdimisht në sheshin e xhirimeve dhe duke mbajtur maska në fytyrë. Në fillim brengosesha nëse maskat do të ndikonin në anën kreative të aktorëve, dhe ndoshta ky ishte një mendim injorant nga ana ime, por thjeshtë mendoja që si njerëz ne duhet të kemi kontakt të vazhdueshëm, për të krijuar kimi ndaj njëri-tjetrit. Por, ajo që na qetëson është që pavarësisht se procesi i punë ka ndryshuar, ne punë sërish dominon një atmosferë pozitive dhe të gjithë po punojmë në maksimum”, citohet të ketë thënë aktori.
Ngjarja e filmit pritet të fokusohet në lidhjen komplekse ndërmjet magjistarit të keq Gellert Grindelwald, i portretizuar në film nga Johnny Depp dhe magjistarit të mirë, Albus Dumbledore, i sjellë në ekran nga ylli britanik Jude Law.
David Yates po e bënë regjinë e këtij vazhdimi të tretë derisa, J.K. Rowling, David Heyman, Steve Kloves dhe Lionel Wigram, vijnë sërish në rolin e producentëve.
Autorja e shpërblyer me disa çmime, J.K. Rowling, në qershor të vitit 2019 e kishte bërë të ditur lajmin se kishte filluar ta realizojë skenarin e filmit “Fantastic Beasts 3”.
Pritet të realizohen pesë filma të bazuar në historinë e magjistarit, Newt Scamander.
Filmi i parë me titull “Fantastic Beasts and Where to Find Them” ishte lansuar në vitin 2016, ndërsa vazhdimi i dytë “Fantastic Beasts: The Crimes of Grindelwald” u lansua nëpër kinema në nëntor të vitit 2018.