“Për shumë prej nesh, lëvizja ‘Black Lives Matter’ nuk është trend. Është diçka për të cilën kemi folur prejse kemi nisur ta artikulonim veten”, ka thënë aktorja Bakray. “Është dashur kohë e gjatë që të lëvizte diçka për punën e mungesës së përfaqësimit në film. Të them të drejtën, është goxha poshtëruese”
Dy rioshe, të cilat po debutojnë në skenën ndërkombëtare me filmin britanik “Rocks”, e kanë përshkruar mungesën e diversitetit në industrinë britanike të filmit si “poshtëruese”.
Bukky Bakray, e cila është shtatëmbëdhjetë vjeçe, dhe Kosar Ali, 16, asnjëherë nuk kishte aktruar në projekte profesionale derisa nuk do të merrte ftesën e regjisores Sarah Gavron për filmin që kishte për bërthamë një grup shoqesh në Londrën lindore.
Filmi ishte pranuar me goxha shumë kritika dhe do ta kishte premierën në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, por premiera është shtyrë për shkak të pandemisë.
Pabarazia
“Pabarazia e përfaqësimit në industri është revoltuese”, ka thënë Bakray, që është britanike me prejardhje nigeriane dhe jeton në Hackney, ku edhe zhvillohen ngjarjet në film.
Duke folur me admirim për lëvizjen “Black Lives Matter”, Bakray ka shtuar se “klima jonë e tanishme ka spikatur pabarazinë”.
“Por ndiej se duhet të ketë më shumë angazhim të njerëzve kreativë. Shpresoj se tani njerëzit me ngjyrë do të marrin poste drejtuese në industrinë e filmit dhe do të spikasin historitë e tyre”, është shprehur ajo.
“Për shumë prej nesh, lëvizja ‘Black Lives Matter’ nuk është trend. Është diçka për të cilën kemi folur prejse kemi nisur ta artikulonim veten”.
“Është dashur kohë e gjatë që të lëvizte diçka për punën e mungesës së përfaqësimit në film. Të them të drejtën, është goxha poshtëruese”.
“Është poshtëruese se sa shumë histori të bukura i ka huqur industria e filmit”, pajtohet Ali. “Shpresoj se tani janë mbushur mend dhe kanë hapur sytë”.
Filmi është xhiruar prej një ekipi të dominuar nga gratë dhe Bakray luan një rol dytësor të një shkollareje në “Rocks”.
“Rrekje ekipore”
Druan se ajo dhe vëllai i vogël Emmanuel do të shtrëngohen të ndahen nëse dikush e merr vesh se jetojnë të vetëm. Shoqet e saj e kanë ndihmuar që t’u shmangen autoriteteve derisa ajo po ndjek rrugëtimin e saj emocional.
Megjithëse filmi është nën regjinë e Gavronit, e cila gjithashtu e kishte bërë “Suffragetten” më 2015, me Carey Mulliganin, “Rocks” është përshkruar si “rrekje ekipore” – një bashkëpunim ndërmmet Gavronit, skenaristeve Theresa Ikoko dhe Claire Wilson, dhe ekipit të produksionit dhe aktoreve.
Filmi kishte nisur të zhvillohej si ide derisa Gavron dhe ekipi i saj po promovonin “Suffragetten”. Kishte menduar se industrisë së filmit i mungonin filma për të rinjtë – dhe kishin menduar se si gratë më të moshuara në industri do të mund të ndihmonin në këtë aspekt.
“Ndamë mendjen që ta bënim ‘Rocks’ në atë mënyrë që do t’ua mundësonte vetë të rinjve të ishin në zemër të procesit të filmbërjes”, ka thënë Gavron.
Rinia në krye të procesit
“Nuk kishim ide për rrëfime në atë pikë, derisa po mundoheshim të spikasnim gjatë procesit dhe ta ndërtonim boshtin e filmit me një ekip që në thelb do të përbëhej prej njerëzve të rinj në moshë”.
Bakray dhe Ali kishin ndjekur audicionet ku kishin marrë pjesë më shumë se 1.300 nxënës në Londër – shumë prej tyre kishin edhe përvojë profesionale në aktrim. Ato dhe ekipi kishin improvizuar me idetë e skenaristeve derisa do të thurnin një rrëfim.
“Gjatë punëtorive provuam të reagonim përkitazi me ato që ndodhin natyrshëm ndërmjet riosheve”, ka shtuar Gavron.
“Rrëfimi ka miqësinë gjatë krejt procesit dhe pamë lidhjen e natyrshme që po kuptimësohej ndërmjet Bakrayt dhe Kosarit, megjithëse ato nuk shkonin në të njëjtën shkollë dhe kishin të kaluar të ndryshme. Kështu që, miqësia e tyre u kthye në thelb të miqësisë së shprehur edhe në film. Në fakt, ajo përbën bërthamën e filmit”.
Dhe të dyja thonë se përvoja në film ua ka ndryshuar jetën.