Aktorja e njohur japoneze, Sei Ashina, ka vdekur në moshën 36-vjeçare. Dyshohet se është vetëvrarë.
Sipas raportimeve në mediat japoneze, Ashina është gjetur pa shenja jete në apartamentin e saj, të hënën më 14 shtator.
Besohet se ylli i filmit “Silk” është gjetur e vdekur nga vëllai i saj, i cili kishte shkuar në apartament pasi aktorja nuk i ishte përgjigjur thirrjeve dhe mesazheve të tij, transmeton Koha.
Lajmi trishtues dhe fatkeq më pas u konfirmua nga zëdhënësit e aktores së ndjerë, të cilët në një deklaratë për media kishin shkruar: “Detajet rreth kësaj situate janë duke u hetuar ende, por duam t’iu kërkojmë mediave që ta marrin në konsideratë trishtimin e thellë të familjes së Sei Ashinas, dhe të mos tentojnë t’i intervistojnë ata. Gjithashtu duam t’i shprehim mirënjohjet tona të sinqerta për mirësinë e Ashinas, si dhe lutemi që shpirti i saj të gjejë qetësi”.
Përveç rolit në dramën historike të vitit 2007, “Silk”, ku luajti krahas aktorëve të famshëm, Keira Knightley, Michael Pitt dhe Alfred Molina, Ashina po ashtu ka luajtur në filmat, “The Tail of Happines” dhe “Nanase: The Psychic Wanderers”. Një prej performancave të fundit të aktores ishte në serinë televizive “Ship of Theseus”, e cila i lansua në fillim të këtij viti.
Vdekja e saj e shënon rastin e radhës së vetëvrasjeve të yjeve të showbizit në Japoni, të tillë si aktori Haruma Miura dhe ylli televiziv, Hana Kimura.