Showbiz

“Wonder Woman 1984” sërish ndryshon datën e lansimit

Data e lansimit të filmit të shumëpritur, “Wonder Woman 1984” është shtyrë zyrtarisht deri më 25 dhjetor.

Pra gjithë adhuruesit e superheroinës së famshme, kanë arsye për të qenë të entuziazmuar në këtë sezon të festave të fundvitit.

Vazhdimi i dytë i filmit të regjisores, Patty Jenkins, fillimisht ishte planifikuar të lansohej nëpër kinema në qershor të këtij viti, pastaj ishte shtyrë për muajin gusht dhe më vonë u vendos që projekti me buxhet të lartë të publikohej në muajin tetor. Por, tani data e lansimit të tij anembanë botës ka pësuar sërish ndryshime, dhe për shkal të pandemisë së vazhdueshme të koronavirusit përfundimisht filmi do të vjen nëpër kinema më 25 dhjetor të vitit 2020, transmeton Koha.

Kjo shtyrje vjen vetëm disa ditë pas lansimit të filmit të ri të regjisorit Christopher Nolan, “Tenet” nëpër kinematë amerikane. Ky projekt i realizuar me një buxhet prej 200 milion dollarësh, deri më tani i ka arkëtuar 20 milionë dollarë nga shitja e biletave nëpër kinematë lokale, që si duket është shumë më e vogël seç është pritur.

Në një deklaratë të fundit regjisorja Jenkins citohet të ketë thënë: “Pikë së pari më lejoni t’iu tregoj sa shumë unë dhe Gal Gadot i duam fansat e përkushtuar të heroinës Wonder Woman, anembanë botës dhe entuziazmi për filmin ‘WW84’ nuk ka si të na bënte më të lumtur se kaq. Gjithashtu mezi po presim që ju ta shihni atë. Por, për shkak se e di sa e rëndësishme është ta sjellim këtë film për ju në ekran të madh, në mënyrë që të gjithë ta ndajmë këtë eksperiencë së bashku, shpresoj që nuk e keni bezdi të prisni veç edhe pak për lansimin e tij nëpër kinema. Me datën e re të publikimit në ditën e Krishtlindjeve, mezi presim t’i kalojmë festat e fundvitit së bashku me ju”.

Ndërkaq “Black Widow”, filmi i ardhshëm me buxhet të lartë i studios Marvel, aktualisht planifikohet të lansohet nëpër kinema në muajin nëntor, por ka gjasa që kjo datë të shtyhet sërish.