Showbiz

Ryan Reynolds do ta bashkëshkruajë dhe do të luajë në një komedi të re të Netflixit

Aktori 43-vjeçar, Ryan Reynolds, po bëhet bashkë me skenaristin dhe filmbërësin, John August, për ta shkruar skenarin e filmit “Upstate”, që do të realizohet nga platforma digjitale Netflix.

Dyshja, e cila do të shërbejë edhe si producentë ekzekutiv të projektit, pritet që shumë shpejt ta fillojë punën rreth këtij skenari edhe pse nuk dihen shumë detaje rreth temës që e trajton filmi.

Reynolds dhe August në të kaluarën kanë punuar së bashku në trilerin fantastiko-shkencor të vitit 2007, “The Nines” i cili premierën botërore e shënoi në kuadër të festivalit të filmit “Sundance”. Në atë projekt August shërbeu edhe si regjisor, ndërsa në rolet protagoniste, përveç Reynoldsit, ishin edhe aktorët, Hopes David, Melissa McCarthy dhe Elle Fanning.

Disa prej skenarëve të tij më të njohur janë për filmat, “Charlie's Angels”, “Charlie and the Chocolate Factory”, “Big Fish”, “Dark Shadows” dhe adaptimi i fundit i studios Disney i filmit “Aladdin”.

Ylli i filmave “Deadpool”, Ryan Reynolds, ka bashkëpunuar edhe më herët me platformën Netflix, në filmin e mbushur me skena aksion “6 Underground”. Ai po ashtu së fundmi e ka xhiruar filmin “Red Notice”, ku luan krah aktorëve të tjerë të famshëm, Dwayne 'The Rock' Johnson dhe Gal Gadot.