Showbiz

“1 kafe me Labin Summer” vjen me intervista e materiale nga terreni

Formati veror i emisionit “1 kafe me Labin” vazhdon të jetë me ju edhe gjatë gushtit.

E shtuna mbrëma në Kohavision do të sjellë një tjetër edicion atraktiv me të ftuar në studio dhe materiale nga terreni.

Në një intervistë të veçantë, i ftuar i parë do jetë këngëtari i njohur Ermal Fejzullahu. Këngëtari i hiteve “E shkuar e harruar”, “Për një dashuri” e “Kthema”, ka folur në këtë paraqitje si asnjëherë më parë për shumë detaje nga jeta e tij private, dashurinë për bashkëshorten dhe fëmijët por edhe prindërit, e sidomos për babanë e tij, Sabri Fejzullahun.

Ai ka shpalosur edhe të reja nga rrafshi profesional, si dhe detaje për punën që ka bërë në incizimet e reja dhe bashkëpunimin me kompozitorë e producentë gjatë kohës së mbylljes. Përveç tjerash, ai ka folur edhe për një bashkëpunim me një prej këngëtareve të njohura të skenës muzikore shqiptare, emrin e së cilës do

mund ta zbuloni gjatë transmetimit të emisionit. Sikurse është bërë tashmë zakon, moderatori i emisionit, Labi, do të sjellë edhe një intervistë nga riviera shqiptare, e kësaj radhe me dyshen e suksesshme nga Shqipëria, Klajdi dhe Bruno.

Dyshja, e cila gëzon popullaritet të madh gjithandej ku ka shqiptarë, ka folur në një intervistë të gjatë pas shumë kohësh për një medium nga Kosova dhe në minutat e rezervuar ka shpalosur aktivitetin dhe angazhimet e kohëve të fundit.

Edhe Klajdi e Bruno kanë shpalosur shumë të reja për fansat e tyre dhe po ashtu kanë dhënë edhe një porosi të veçantë për ndjekësit e tyre nga Kosova.

Ndryshe, emisioni “1 kafe me Labin Summer” do të sjellë edhe rubrikat e përjavshme me të ftuar të tjerë të veçantë nga bota e showbizit dhe televizionit.

“1 KL Summer” transmetohet çdo të shtunë mbrëma nga ora 21:00, vetëm në Kohavision.