Showbiz

Genc Prelvukaj në malet e Koshares, mrekullohet me historinë dhe bukuritë e natyrës

Pandemia e Covid-19, mbylli Shqipërinë dhe natyra është këshilla numër një nga ekspertët, për këto ditë të nxehta. Duket se lezetin po ja ndien këngëtari i njohur Genc Prelvukaj, i cili po vazhdon vizitat nëpër vende të ndryshme në trojet shqiptare.

Së fundmi, siç shkruan Koha Jonë, ai ka qenë tek malet e Koshares, ndërsa theksoi që nëse keni nevojë për një rrëfim që të shkundë eshtrat nga vendi, atëherë merrni frymë dhe ngjituni këtyre maleve. I shton se në këtë vend për rreth 70 ditë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës shkroi një prej historive më të lavdishme të saj.

Në këtë mënyrë, këngëtari jo vetëm tregon natyrën dhe pasuritë që ka kombi por edhe kërkon mbi fakte, mbi të shkuarën dhe tregon për njerëzit që bënë historinë e Kombit.

”Nëse një ditë, keni nevojë për një rrëfim që të shkundë eshtrat nga vendi, atëherë merrni frymë dhe ngjituni këtyre maleve. Kur të jeni atje, ju do të shihni 114 burra nën dhe që flasin më shumë se të gjithë të gjallët sot. Nga aty, e tërë Kosova shihet në pëllëmbë të dorës. Kjo është toka e Koshares. Vendi ku për rreth 70 ditë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës shkroi me pendë të zeze dhe ngjyrë të kuqe, një prej historive më të lavdishme të saj. Betejë që shembi kufijtë dhe bashkoi një popull. Ku ranë e mbijetuan, shqiptarë të çdo krahine pa dallim. Heronjtë e betejës së Koshares treguan që bjeshkët tona janë vërtetë te nëmura për secilin të huaj të paftuar që synon të sundojë mbi to. Treguan sa të thella janë rrënjët e dashurisë së shqiptarëve për lirinë”, shkruan ndër të tjera.