Showbiz

Ben Affleckut i “ndalohet” paraqitja në “No Time To Die”

Ana de Armas do ta zbukurojë ekranin në filmin e ardhshëm për James Bondin, “No Time To Die”, i cili është caktuar të nisë shfaqjen nëpër kinema më 20 nëntor të këtij viti.

Dhe për të qenë i gjithë fokusi te protagonisti kryesor, Daniel Craig, shefat prapa këtij projekti duan që aktorja të shfaqet në premierë pa të dashurin e saj, Ben Affleck.

“Do të ishte një katastrofë po të ishte i gjithë fokusi tek afeksioni publik i Benit dhe Anas që do ta linte nën hije evenimentin”, ka thënë një burim për “The Sun”.

Filmi për 007 ishte caktuar të niste shfaqjen gjatë muajit prill, mirëpo është shtyrë si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Projekti i 25-të me radhë për Bondin dhe i fundit, ku Craig do ta luajë agjentin sekret, do të jepet premierë në Shtetet e Bashkuara dhe në Britani të Madhe.

Ana dhe Ben nisën lidhjen pas xhirimit të trilerit erotik, “Deep Water”, në vitin e kaluar, ndërsa në mars të këtij viti e bënë publike.

“No Time To Die” është filmi i 25-të me radhë për agjentin sekret dhe i fundit, në të cilin Daniel Craig do ta luajë rolin e ‘007’. Ai do të tërhiqet dhe do të shkojë në pushimin e merituar, ndërsa detyrën e tij do ta marrë Nomi, rolin e së cilës e luan Lashana Lynch.

Ndërsa emri që ka tërhequr vëmendje është Ana de Armas, e cila luan rolin e Palomas, një agjente e CIA-s që i ndihmon Bondit. Aktorja ka treguar se karakteri i saj për këtë film është shkruar në momentet e fundit, ndërsa për të është kujdesur Phoebe Waller-Bridge.

Ka lindur në Santa Cruz del Norte në provincën Mayabeque në Kubë, jo shumë larg nga kryeqyteti Havana. Gjyshja dhe gjyshi i saj nga nëna janë spanjollë, ndërsa përmes tyre 32-vjeçarja e ka marrë shtetësinë e Spanjës dhe është zhvendosur në Madrid në moshën 18-vjeçare.

Kur është pyetur se si e ka mësuar aq shpejt gjuhën angleze, Ana ka thënë: “Sepse jeta ime varej nga kjo”.

Në moshën 25 vjeçare, ajo shkoi nga Spanja drejt Hollywoodit dhe ishte e vendosur që të shkonte në audicione, ndërsa kishte momente kur nuk i kuptonte aspak dialogët që i thoshte.

“Herën e parë kur e kam lexuar pjesën time, nuk e kisha idenë se çfarë do të thoshte: ‘I beg your pardon’ (më falni)”, ka rrëfyer ajo me sinqeritet. Ana është shfaqur në disa shfaqje të shkollës derisa rritej në Kubë dhe që atëherë dëshironte të bëhej aktore.

“E kam ditur se dua të bëhem aktore, por gjithmonë duhet të ekzistojë dikush që ju ‘zbulon’. Fatmirësisht gjatë vitit të dytë të shkollimit tim, regjisori spanjoll Manuel Gutierrez Aragon më dha një rol dhe ky ishte filmi im i parë”, ka treguar De Armas.

Për portretizimin e Marta Cabrera në filmin e vitit 2019, “Knives Out”, Ana u nominua për çmimin “Golden Globe” për aktoren më të mirë. Është fjala për një mister/komedi të regjisorit Rian Johnson, ku ajo luan rolin e një motre mjekësore të përfshirë në një konfuzion të komplikuar lidhur me një vrasje.

Edhe pse nuk e fitoi çmimin, aktorja mori lëvdata të shumta nga kritikët për rolin e saj.

Pasi luajti në filmin “Una rosa de Francia” (2006), ajo siguroi një rol në dramën e të rinjve, “El Internado”, në të cilën luajti gjatë viteve 2007-2010.

Vazhdimi i dytë i filmit fantastiko-shkencor që u titullua “Blade Runner 2049” (2017) bëri që karriera e Anas të shënonte ngritje. Ajo luajti rolin e një vajze holografike me inteligjencë artificiale që dilte me karakterin e luajtur nga Ryan Gosling.

Pas rolit në “No Time To Die”, projekti tjetër i madh për të do të jetë portretizimi i divës hollivudiane, Marilyn Monroe. Regjisori Andrew Dominik tashmë e ka zgjedhur Anan për rolin në filmin që do të flasë për aktoren e ndjerë, ndërsa pritet të titullohet “Blonde”.

Bukuroshja ishte martuar me aktorin spanjoll, Marc Clotet, në vitin 2011, ndërsa u ndanë dy vjet më pas.

Aktorja heziton të flasë për jetën private, ndërsa në një prononcim të mëhershëm ka thënë se ka pasur miq në Los Angeles, por ka qenë shoqëri e gabuar.

Ndër të ish-të dashurit e saj përmenden: regjisori dhe skenaristi spanjoll, David Victori; agjenti i Franklin Latt, me të cilin ka qenë e fejuar, si dhe piktori kubanez, Alejandro Pineiro Bello.