Ish-modelja 46-vjeçare, Tyra Banks, thotë se është e emocionuar që do ta marrë përsipër rolin e prezantueses së shout garues, “Dancing with the Stars”, derisa lajmi për largimin e prezantuesve të mëparshëm të shout, Tom Bergeron dhe Erin Andrews, u bë i ditur në fillim të kësaj jave.
Banks, po ashtu do të shërbej si producente ekzekutive e emisionit shumë të shikuar televiziv, transmeton Koha.
Në një prononcim për media, modelja ka deklaruar: “Prej se ka filluar transmetimi i shout 'DWTS', unë kam qenë adhuruese e madhe e tij… Më pëlqen përzierja e argëtimit me emocionet e sinqerta që i sjellë ky emision, si dhe më pëlqen t’i shoh të famshmit duke dalë nga zona e tyre e rehatisë, për të sjellë performanca sa më të mira të vallëzimit. Prezantuesi i kaluar i shout, Tom Bergeron, e ka bërë një punë të mrekullueshme dhe unë jam e entuziazmuar ta vazhdoj trashëgiminë e tij, si dhe ta sjellë përvojën time si producente dhe prezantuese në këtë shou.”
Krijuesit e këtij shou gjatë javës e kanë lavdëruar 65-vjeçarin, Tom Bergeron, i cili e ka praznatuar emisionin nga viti 2005, dhe bashkëprezantuesen e tij nga viti 2014, Erin Andrews, derisa e kanë mirëpritur Banksin në këtë program televiziv. Ata kanë deklaruar se vendimi për t’i ndryshuar prezantuesit vjen si pjesë e një drejtimi të ri kreativ për shoun, i cili planifikohet të rikthehet në ekran kah fundi i këtij viti.