Showbiz

Tina Turner vjen në bashkëpunim me DJ Kygo

Tina Turner po rikthehet pas pensionimit për ta sjellë një version të ri të hitit të saj ikonik të vitit 1984, “What's Love Got To Do With It”, në bashkëpunim me DJ dhe producentin e njohur muzikor, Kygo.

Këngëtarja 80-vjeçare kishte dalë në pension menjëherë pas përfundimit të turneut, “Tina! 50th Anniversary Tour”, i cili u përmbyll në vitit 2009, dhe nga atëherë është shfaqur në publik vetëm me rastin e ngjarjeve të caktuara, transmeton Koha.

Sidoqoftë, këtë të premte, ylli i hitit “Proud Mary” do të shfaqet në remixin e ri të këngës së saj të shpërblyer me çmim “Grammy”, e i cili vjen i realizuar nga muzikanti norvegjez, Kygo.

“What's Love Got To Do With It”, në vitin 1985 ia pati fituar Turnerit 3 shpërblime të rëndësishme “Grammy”, në kategoritë të tilla si: “Kënga më e mirë e vitit”, “Incizimi më i mirë” dhe “Performanca më e mirë pop”.

Kygo, i cili verën e kaluar e realizoi remixin e këngës “Higher Love” nga ikona e ndjerë e muzikës, Whitney Houston, e bëri të ditur lajmin e bashkëpunimit të tij me Tina Turnerin, përmes një postimi në Twitter.

“Nuk mund të besoj se po e lansoj një bashkëpunim me, Tina Turnerin, këtë të premte. ‘What's Love Got To Do With It’ është një prej këngëve të mia të preferuara, dhe më duket ëndërr mundësia për të punuar me një artiste legjendare si ajo! Mezi pres ta dëgjoni këngën,” kishte shkruar DJ Kygo në mesazhin e tij.

 

 

“What's Love Got To Do With It” ishte pjesë e albumit “Private Dabcer” të Tina Turnerit, dhe njihet si një prej këngëve të saja më të pëlqyera. Fillimisht, kënga i ishte ofruar këngëtarëve, Cliff Richard, Donna Summer dhe Bucks Fizz, para se Turner ta incizonte atë.

Ndërkaq në vitin 1993, emri i këngës ishte shfrytëzuar si titull i filmit biografik të këngëtares së famshme amerikane.

Remixi i ri i këngës vjen pasi ylli i muzikës elektronike, Kygo, emri i vërtetë i së cilit është Kyrre Gørvell-Dahll, e lansoi albumin e tij të tretë të incizuar në studio, “Golden Hour”.