Showbiz

Basisti i “Maroon 5” është arrestuar për dhunë familjare

Basisti i grupit “Maroon 5”, Michael ‘Mickey’ Madden, është arrestuar në Los Angeles pasi dyshohet të ketë kryer dhunë familjare.

Policia e Los Angelesit e ka konfirmuar lajmin për portalin “Page Six”, duke thënë se muzikanti i famshëm po akuzohet për lëndim traumatik me paramendim të partneres së tij, gjë që në Kaliforni konsiderohet vepër kriminale.

41-vjeçari Madden i cili jeton në Los Angeles, nuk është i martuar, dhe deri më tani nuk është konfirmuar identiteti i viktimës së supozuar, transmeton Koha.

Basisti i famshëm besohet se është detyruar t’i paguajë 50 mijë dollarë për lirim me kusht, dhe është liruar brenda ditës. Më 29 shtator të këtij viti, ai pritet të paraqitet në gjykatë për një seancë dëgjimore rreth rastit.

Zëdhënësi i bendit “Maroon 5” citohet të ketë thënë: “Jemi të mërzitur thellë nga ky lajm zhgënjyes. Derisa të mësojmë më shumë rreth rastit, jemi duke e trajtuar atë me shumë kujdes dhe seriozitet. Aktualisht po ua japim hapësirën e nevojitur të gjithë personave të përfshirë në këtë ngjarje, në mënyrë që t’i sqarojnë të gjitha paqartësitë.”

Kjo nuk është hera e parë që Madden ballafaqohet me ligjin. Në vitin 2016, ai ishte arrestuar për posedim të drogës, pasi besohej se i kishte ofruar kokainë ish të dashurit të Ivanka Trumpit, jashtë një bari në New York.

Në gjykatë, muzikanti e kishte pranuar një ofertë për largimin e akuzave të ngritura ndaj tij, në shkëmbim të një dite të shërbimit për komunitetin. Mirëpo nëse shpallet fajtorë në rastin e fundit, ai rrezikon të dënohet me burg.